Organizimi i Europianit me Serbinë, presidenti Duka: Eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë, do të shërbejë për të thyer barriera
Shqipëria dhe Serbia janë zyrtarisht dy vendet organizatore të Europianit U-21 në vitin 2027. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka komentuar këtë vendim.
Numri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit e quan vendimin më të madh sportiv në historinë e Shqipërisë, që do të shërbejë për të thyer barriera.
“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli.
Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit.
Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin.
Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”, u shpreh Duka.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"