Orjel Murati konfirmon largimin. Kasmollari: Te Lushnja u rrita, ja pse pranova Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2024 | 10:30

Orjel Murati konfirmon largimin. Kasmollari: Te Lushnja u rrita, ja pse pranova Bylisin

Lushnja e ka nisur punën për sezonin e ri prej dy javësh, por sa i përket merkatos në hyrje, përforcimet janë të pakta, pasi vetëm dy janë afruar. Ka qenë vetë trajneri Gugash Magani ai që ka konfirmuar afrimin e Albi Xhabrahimit dhe Fjoralb Deliajt.

lushnja duke festuar golin e muratit

Ndërsa largimet kanë qenë të në numër të konsiderueshëm. Orjel Murati është një tjetër futbollist, i cili nuk do të jetë më pjesë e Lushnjës për sezonin e ardhshëm. 22-vjeçari erdhi te verdhejeshilët në janarin e këtij viti, ku në gjysmën e dytë të sezonit arriti të shënojë dy gola për Lushnjën. I kontaktuar nga “Panorama Sport” sulmuesi Murati konfirmoi se nuk është më pjesë e Lushnjës.

KASMOLLARI– Një nga lojtarët e parë që e mbylli aventurën me Lushnjën pas përfundimit të sezonit të fundit ishte mbrojtësi Paolo Kasmollari. “Divorci” erdhi për shkak se 24-vjeçari karrierën do ta vazhdojë në elitë, ku do të jetë pjesë e Bylisit. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pogradecari e vlerëson si një hap të rëndësishëm kalimin në Superiore. “Mendoj se është një hap i mirë për karrierën time, për vetë nivelin e futbollit ku luan Bylisit.

Jam një person që kërkon sfida të reja dhe mendoj se kjo ishte koha e duhur që unë të transferohesha te Bylisi dhe të luaj në elitën e futbollit shqiptar”, deklaroi Kasmollari. Mbrojtësi pogradecar ishte nga më të mirët e Lushnjës në sezonin e kaluar. Ai shënoi 3 gola, përfshi edhe një të shënuar në ndeshjen shtesë me Ilirinë. “Lushnjën e kam për zemër, sepse kam kaluar një vit të bukur dhe me shumë emocione. Shpresoj ta shoh sa më shpejt aty ku i takon të jetë. Dua t’i falënderoj të gjithë që më ndihmuan të rritem profesionalisht”, përfundoi mbrojtësi Paolo Kasmollari, që tashmë do të jetë pjesë e Bylisit në Superiore.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"