Pajaziti: Apolonia mund këdo në Fier, Korabin e luftojmë në çdo centimetër! Paulo Pjeshka: Nuk lejohet hapi fals
Apolonia pret sot Korabin në orën 13:30, në stadiumin “Loni Papuçiu”, takim i vlefshëm për javën e 20-të të Kategorisë së Parë.
Fierakët vijnë në këtë takim pas fitores me Burrelin, ndaj edhe fitorja do të vijojë të mbetet si i vetmi rezultat i vlefshëm. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Sedat Pajaziti tha se kanë mundësi dhe detyrim për të provuar fitoren kundër kujtdo rivali në Fier. Ai kërkon vetëm tri pikët.
Si e vlerësoni reagimin e skuadrës dhe sa të rëndësishme ishin tri pikët që morët në Burrel?
Ndeshja në Burrel ishte si një finale për ne, ndaj një kundërshtari të vështirë në një transfertë delikate. Megjithatë, jo vetëm ndeshja në Burrel, por të gjitha përballjet në vazhdim konsiderohen si finale dhe marrin vlerësimin maksimal. Reagimi ishte pozitiv, skuadra tregoi karakter dhe dëshirë për të arritur një rezultat pozitiv. Synimi ynë ishte që të merrnim tri pikët dhe kjo fitore mori vlera të dyfishta pas hapave fals të kundërshtarëve tanë. Përpjekjet dhe dëshira e ekipit ishin të dukshme dhe kjo na bën optimistë për sfidën tjetër.
Ndeshja e radhës është me Korabin në Fier. Si kanë shkuar përgatitjet?
Jemi përgatitur mirë, me seriozitet dhe me moral të lartë. Ka pasur angazhim maksimal nga të gjithë lojtarët dhe së bashku punojmë çdo ditë me dëshirën e madhe për t’u përmirësuar. Punojmë që ta bëjmë Apoloninë më të fortë, konkurruese dhe me mentalitet fitues, çka duhet të ushqehet te të gjithë. Shpresoj të jemi të gatshëm, pra në lartësinë e duhur dhe të japim maksimumin për një rezultat pozitiv në këtë ndeshje shtëpie.
Çfarë prisni nga kjo ndeshje në shtëpi kundër Korabit?
Në kushtet në të cilat ne ndodhemi, fitorja është detyra jonë dhe rrjedhimisht i vetmi rezultat që presim në këtë ndeshje shtëpie kundër Korabit. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe me shumë angazhim, por jemi gati të luftojmë në çdo centimetër të fushës, pra t’i provojmë të gjitha mënyrat për të marrë maksimumin. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë në mënyrën më të mirë, me mentalitetin tonë dhe do të përpiqemi ta fitojmë.
Ju shqetësojnë mungesat për këtë takim?
Mungesat janë pjesë e lojës dhe nuk mund të jenë një pretekst. Në këtë pikë të kampionatit është normale të kesh mungesa për shkak kartonësh, apo virozash. Ata që do të futen në fushën e lojës e kanë të qartë se luajmë një “finale” dhe mentaliteti i skuadrës sonë është ai i triumfuesit. Besoj se do të jemi kompetitivë dhe si gjithnjë do të luajmë për fitore me këdo në Fier.
Korabi është “mace e zezë” për Apoloninë. Fitorja e fundit në shtëpi daton më 4 dhjetor 2021. Besoni se mund ta thyeni këtë statistikë?
Korabi është një ekip i forcuar ndjeshëm në merkato dhe do të jetë akoma më e vështirë për ta mundur. Mund të them se do të jetë një ndeshje e vështirë, ku na del për detyrë të bëjmë më të mirën. Jam i bindur se do të hyjmë në fushë me këmbën e duhur. Ne luajmë ashtu si në çdo ndeshje, vetëm për fitore. HILMI SALIU
Nuk ka pasur asnjë ditë pushim për Korabin. Një ditë pas fitores me Valbonën për llogari të javës së 19-të të kampionatit, skuadra ka zbritur në fushë për të përgatitur takimin e radhës, atë anti-Apolonia që do ta luajë në sot “Loni Papuçiu”.
Gjatë këtyre ditëve në kampin dibran zhvillimet kanë qenë interesante. Afrimi i disa futbollistëve cilësorë ka shtuar dukshëm jo vetëm interesin në radhët e tifozerisë dibrane, por edhe optimizmin për një prezantim më dinjitoz të skuadrës në javët në vazhdim. Në katër golat e shënuar në ndeshjen e fundit ndaj tropojanëve, dy mbajnë firmat e afrimeve të javës së fundit, Muça dhe Pjeshka. Ky i fundit ka dhënë një prononcim të shkurtër për gazetën.
“Zhvilluam një ndeshje të kënaqshme, e cila u shoqërua me rezultat pozitiv. Një falënderim dua t’ia jap drejtuesve, të cilët na krijuan klimën e duhur për të qenë komod në skuadër”, tha fillimisht Paulo Pjeshka. Për vetë pozitat që ka skuadra e Canajt në renditje, çdo ndeshje merr rëndësi specifike, por sipas 21-vjeçarit, me besim te vetja, çdo ndeshje, qoftë dhe ato të transfertës, janë të kalueshme.
“Ndeshja ndaj fierakëve do të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar nga të dyja skuadrat. Jam optimist se skuadra do të japë maksimumin. Për vetë pozitat që kemi në renditje, nuk na lejohen hapa fals. Marrja e maksimumit të pikëve mbetet objektivi primar për skuadrën tonë”, mbyll prononcimin e tij autori i golit të dytë në ndeshjen ndaj Valbonës, Paulo Pjeshka. Ndërkohë, skuadra në ndeshjen e sotme do të zbresë e plotë në fushën e lojës. Pas 19 javësh, ekipi i Canajt ndodhet në vendin e dhjetë me 19 pikë, me golavarazh 18-29. NDERIM GOCI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"