Pajaziti: Apolonia shkon për oksigjen në Tropojë, pushimi i kampionatit një ndihmesë për ringritjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2024 | 11:35

Pajaziti: Apolonia shkon për oksigjen në Tropojë, pushimi i kampionatit një ndihmesë për ringritjen

Apolonia synon tri pikët në ndeshjen e radhës ndaj Valbonës, që e luan sot në orën 14:00 në Tropojë.SEDAT PAJAZITI APOLONIAPërtej faktit se bëhet fjalë për një ndeshje të vështirë në transfertë, fierakët do të mundohen të marrin maksimumin në këtë takim për të përmirësuar ndjeshëm situatën sezonale të ekipit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti, flet për gjendjen aktuale të ekipit dhe për vështirësinë e këtij takimi, që sipas tij nuk ka ndeshje të lehta, për më tepër në transfertë.

Humbja me Besën jua shton presionin. Si është gjendja aktuale e ekipit?

Duke qenë se ishte ndeshja ime e parë si kryetrajner në pankinë, nuk kishim asnjë lloj presioni. Thjesht ka qenë një disfatë e vështirë për t’u kapërdirë, për vetë faktin se vinim nga dy humbje radhazi dhe renditeshim në një pozicion jo të mirë. Përtej gjithçkaje, ne e kemi hedhur pas krahëve atë humbje dhe jemi të përqendruar për të bërë më mirë në ndeshjen e radhës. Gjendja aktuale e ekipit është e shkëlqyer.

Humbja e tretë radhazi, mendoni se jeni në një ngërç psikologjik?

Mund të mos ketë qenë momenti ynë, herë kemi dështuar falë gabimeve tona dhe herë na ka munguar fati, që është i rëndësishëm në futboll. Megjithatë, mendoj se do të rikthehemi shpejt te fitoret. Pushimi për shkak të angazhimeve të kombëtareve, do të na japë një ndihmesë të madhe të ringrihemi e të kthehemi më të fortë se asnjëherë.

Pra, Apolonia është e karikuar përballë Valbonës?

Patjetër që po. Duhet të jemi të motivuar dhe të përqendruar. Ekipi ka punuar shumë mirë dhe e kam parë shumë të përqendruar gjatë kësaj jave. Për ne, kryesorja është që të kemi një skuadër të kompletuar dhe mbi të gjitha të karikuar në maksimum për çdo ndeshje. Të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë në këtë moment dhe të marrim tri pikët, që do të ishin si oksigjen për ne.

Si shkon skuadra juaj në këtë duel me tropojanët?

Deri tani gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe shpresoj që kështu të jetë edhe pas seancës së fundit para transfertës së Tropojës. Kemi mungesa të rëndësishme, nuk bëhet fjalë vetëm për lojtarë të dëmtuar, por edhe për lojtarë të rikuperuar së fundmi, që nuk janë gati 100%. Ekipin e kam të plotë dhe mundësia e zgjedhjeve është e madhe për mua.

Apolonia shkon vetëm për fitore në Tropojë, apo…?

Ne jemi Apolonia dhe gjithmonë do të mundohemi të marrim maksimumin. Fitorja është detyrim për ne në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë fushe, por kjo nuk duhet të na kushtëzojë. Le të hyjmë në fushë me kokën lart dhe më e rëndësishmja është të japim maksimumin në fushë dhe të përpiqemi të jemi të përqendruar në çdo moment të lojës.

Sa e vështirëson ndeshjen fakti që edhe Valbona është në zonën e ftohtë të renditjes?

Ne kemi kampionatin tonë dhe objektivat tona dhe vetëm për këto jemi duke menduar. Do të shkojmë në Tropojë për të dhënë maksimumin dhe kjo ka shumë rëndësi. Nga ana tjetër, nuk ka ndeshje të lehta, por njëherazi as të pakalueshme për një ekip të uritur për fitore.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"