Pajaziti nuk firmos për barazim: Apolonia, gati të mposhtë edhe Kastriotin
Apolonia luan sot në transfertë ndaj Kastriotit, një rival direkt në renditje. Trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti, në prag të sfidës së FushëKrujës, për “Panorama Sport” deklaroi se takimi është i një vështirësie të lartë. Nuk firmos për barazim, veç për trepikëshin.
Dy fitore radhazi, njëra në kampionat dhe tjetra në Kupë. Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e Apolonisë së fundmi?
Jam shumë i kënaqur me paraqitjen kolektive, ku në dy takimet e fundit kemi prodhuar lojë të rrjedhshme. Kemi qenë rezultativ në metrat e fundit duke marrë dy fitore radhazi, fillimisht me Vorën pretendente, si dhe me kualifikimin në turin e tretë të Kupës. Ishin dy fitore të ndryshme, por të rëndësishme që ne i kemi arkivuar dhe po mendojmë për ndeshjen e së dielës ndaj Kastriotit.
Si është përgatitur ekipi për ndeshjen me Kastriotin?
Edhe pse kemi pak ditë në dispozicion, po e përgatisim ndeshjen si duhet. Kemi punuar me ngarkesë që të jemi gati për Kastriotin. Përgatitjet kanë vijuar normalisht dhe ekipi ka qenë i përqendruar dhe i përkushtuar në çdo seancë stërvitore. Në fund, por jo për nga rëndësia, kemi edhe disa rikthime të rëndësishme në ekip dhe kjo na ndihmon që ta përgatisim ndeshjen mirë dhe me qetësi.
Sa e vështirë do të jetë kjo përballje në transfertë për Apoloninë?
Me Kastriotin në transfertë është një takim i një shkalle vështirësie të lartë, sikundër e luajtëm në Fier me Vorën. Një duel i barabartë, pasi edhe kundërshtari ka objektivat e tij njësoj si ne. Jemi përgatitur mjaft mirë dhe shpresoj të japim më të mirën. Kemi ditë që përgatitemi dhe gjithçka është e përqendruar vetëm te kjo ndeshje.
Do të ishit i kënaqur edhe me një barazim ndaj krutanëve?
Të gjitha ekipet kanë për detyrë të kërkojnë gjithmonë më të mirën, ku edhe Apolonia nuk bën përjashtim. Ne hyjmë gjithmonë në fushë për të fituar dhe për të bërë më të mirën tonë. Ndeshje të tilla, kaq të vështira, duhen “djersitur” dhe fituar në fushë, pavarësisht faktit se luan brenda apo jashtë. Duhet të realizojmë objektivin, që i kemi vënë vetes, të fitojmë çdo ndeshje.
Në fazën e parë barazuat 1-1, prisni rezultat tjetër në Fushë Krujë?
Çdo ndeshje ka një histori më vete. Ajo që ka ndodhur deri dje ka kaluar, tani duhet të shohim nga e ardhmja. Është një ndeshje tjetër, do të jetë shumë e vështirë sepse luajmë jashtë shtëpisë, por skuadra është gati për të bërë një paraqitje dinjitoze në kufijtë e perfektes.
HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"