PARIS 2024/ Tomas Myler shpallet kampion olimpik dhe feston me medaljen e artë: Jam i mahnitur
Tomas Myler është shpallur kampion olimpik. Jo në mënyrë direkte, pasi nuk ka marrë pjesë në gara, por falë pasionit të dytë të sulmuesit të Bajern Mynih dhe Gjermanisë, kuajve.
Myler njihet për pasionin që ka për kuajt dhe ka në pronësi bashkë me gruan e tij disa stalla, ku rrit kuaj race dhe garash. Një prej tyre, “Checker”, i kalëruar nga Kristian Kukuk, fitoi dje në lojërat Olimpike medaljen e artë për Gjermaninë në garat e kërcimit që u zhvilluan në oborrin e Versajës.
Kukuk menjëherë pas triumfit historik, kishte fjalë falënderimi për Myler. “Nuk duhet të harrojmë: Madelein Vinter-Shulce dhe Tomas Myler kanë luajtur një rol shumë të madh, pasi ata janë dy pronarët e “Checker”. Ata më dhanë mundësinë që të vazhdoja të kalëroj këtë kalë dhe të siguroheshin që nuk do të shitej. I jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë dhe që isha në gjendje që të shpërbleja besimin e tyre sot”, tha kampioni i ri olimpik.
Edhe Myler më pas festoi në mënyrën e tij me një mesazh në rrjetet sociale, duke postuar aty një video teksa mbante medaljen e artë.
“E arta në Olimpiadë me Checker, më la pa frymë. I dashur Kristian, e meriton. Ajo që ke arritur me Checker, të heq kapelën, jam jashtëzakonisht i mahnitur. Tani le të festojmë”, ishin fjalët e Myler në postimin e tij në rrjete sociale.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"