Partizan i tjetërsuar, “avullojnë” 7 titullarë. Formacioni i të kuqve humb cilësi dhe lidership
Partizani duhet të gjejë liderë të rinj dhe lojtarë të caktuar do të duhet të ndërmarrin më shumë përgjegjësi mbi supe dhe të shndërrohen në udhëheqës të ekipit. Të larguarit Cara, Rrapaj dhe Hadroj kishin afro tri sezone që mbanin përgjegjësi mbi supe dhe me largimin e tyre përgjegjësia duhet të transmetohet te lojtarë të tjerë.
LIDERË TË RINJ – Emra si Sembene apo Preka në mbrojtje, Taipi e Mehmeti në sulm dhe Mba apo Zeka në sulm, kanë tashmë mbi supe më shumë përgjegjësi dhe peshë për të çuar Partizanin drejt objektivave. Klubi i kuq prej dhjetë vitesh ka arritur që cikël pas cikli të qëndrojë pretendent për titullin dhe mbetet të shihet nëse do të arrijë ta bëjë këtë me ndryshimet e shumta që po pëson skuadra në këtë mes sezoni.
NDRYSHIMET – Largimet e Sotës, Atanaskoskit, Magetit, Muratajt, Rrapajt, Carës dhe Hadrojt në harkun e pesë muajve padyshim ka bërë që Partizani të ndryshojë rrënjësisht dhe në disa role cilësia të shënojë rënie në cilësi. Largimi i shtatë titullarëve fiks është goditje për çdo klub të mundshëm në botë, e për më tepër që Partizani deri më tani nuk ka arritur të bëjë ndonjë merkato ku mund të thuash se ndonjëri për prurjeve ka zëvendësuar si duhet të larguarit. Deri më tani thuajse asnjë afrim nuk ka spikatur.
TË MBETURIT – Nga të ashtuquajturit titullarë të sezonit të shkuar, në mbrojtje kanë mbetur vetëm Sembene dhe Qirko. Mesfusha është zhbërë e gjitha. Vjet të kuqtë kanë luajtur më së shumti me treshen Rrapaj, Maget dhe Murataj, por asnjëri prej tyre nuk është më pjesë e Partizanit. Në sulm dëmet janë më të vogla, pasi i vetmi titullar i larguar është Cara, që në fakt kishte shumë peshë në manovrën e ekipit dhe mbante edhe shiritin e kapitenit. Për më tepër, edhe trajneri ka ndryshuar. Shehi i la vendin Veselinoviç në gusht.
CIKËL I RI – Ndodh në mesin e sezonit dhe e gjen skuadrën në vendin e dytë, por ky Partizan po nis një cikël të ri në një moment jo fort të zakontë, sepse normalisht të tillë revolucione ndodhin gjatë verës, kur më pas skuadra ka treg më të madh për të gjetur zëvendësues dhe më shumë kohë për të zhvilluar fazë përgatitore, që shërben për ambientimin dhe kapjen e formës së lojtarëve të ardhur. Në momentin që flasim Superiorja nuk do ta ketë shansin as të zhvillojë një minifazë përgatitore, sepse më 11 janar skuadrat duhet të kthehen në fushë për të luajtur javën e 20-të të kampionatit të rregullt.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"