Partizani i 2025-ës nis me korçarët, ja plani i Veselinoviç
Nën drejtimin e trajnerit Veselinoviç, Partizani ka kryer dje seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes së sotme në orën 17:00 kundër Skënderbeut në stadiumin “Arena e Demave”.
Para pak ditësh të kuqtë zhvilluan edhe një miqësore kundër Kastriotit dhe në atë sfidë stafi duket se ka marrë edhe sinjalet e nevojshme sa i përket lojtarëve që do të hedhë në fushë këtë mbrëmje.
Në dispozicion për këtë ndeshje nuk është Gjergji Kote, teksa të tjerët janë në gjendje për të luajtur nga minuta e parë. Në ditët e fundit trajneri ka vendosur të bëjë një ndryshim sa i përket 11-shes. Mba shihet gjithnjë e më pranë Metalistit të Kharkivit në Ukrainë dhe nuk është pjesë e planeve. Ai nuk luajti as në ndeshjen e fundit kundër Vllaznisë. Në portë nga minuta e parë pritet Qirko, teksa para tij do të jenë Janjeva, Preka, Domgjoni dhe Buxhelaj.
Në mesfushë opsionet janë të pakta dhe pritet të startojnë Taipi, Mehmeti dhe Ismaili. Në sulm Zeka e nis nga minuta e parë, teksa në krahun tjetër pritet debutimi zyrtar i Dmitri Podstrelov. Në qendër do të luajë Bintsuka, që tashmë pritet të marrë rolin e sulmuesit kryesor. Alternativë e tij shihet të jetë Keko, që më në fund do të ketë shansin të luajë si “pykë”, roli i tij natyral. E djeshmja ishte stërvitja e parë si i kuq për afrimin më të fundit, Besar Guxhufi.
MBA – Nigeriani nuk është më pjesë e Partizanit, pavarësisht se klubi ende nuk ka operuar me njoftimin e këtij lajmi në formë zyrtare. Burime për gazetën bëjnë me dije se sulmuesi është përshëndetur me stafin dhe shokët e skuadrës, teksa ka mbledhur edhe sendet e tij personale.
Siç është bërë me dije prej ditësh, ai do të transferohet te Metalisti i Kharkivit, pjesë e ligës së dytë, por pretendent për tu ngjitur në elitën e futbollit ukrainas. Partizani nga ana tjetër mbyll një marrëveshje shumë të favorshme, sepse fiton plot 500 mijë euro nga ky operacion. Para dy vitesh Partizani e blinte nigerianin për 180 mijë euro. Largimi i Mba bëhet i katërti mes titullarëve në këtë verë dhe lë boshllëk mjaft të madh. Mbetet të shihet sesi klubi i kuq do të menaxhojë largimet e katër titullarëve.DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"