“Partizani klub europian”, Domgjoni: E mbyllim në krye dhe shpallemi kampionë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 23:08

“Partizani klub europian”, Domgjoni: E mbyllim në krye dhe shpallemi kampionë (E PLOTË)

David Domgjoni ish te afrimi i fundit i Partizanit, por edhe një nga më të bujshmit për karrierën që lojtari ka arritur të bëjë përgjatë këtyre viteve. Në një intervistë për mediat, 27-vjeçari rrëfen gjerë e gjatë sesi e ka gjetur klubin e ri, përse zgjodhi të kuqtë dhe objektivat e këtij sezoni.

domgjoni

Mbrojtësi nga Prizreni shprehet se infrastruktura e Partizanit nuk është aspak larg ekipeve europiane ku ai ka luajtur. Domgjoni vjen te të kuqtë pas eksperiencave në Turqi, Zvicër, Poloni dhe Kazakistan.

David, riktheheni pas disa vitesh në Shqipëri. Përse zgjodhët Partizanin në këtë verë?

Është e vërtetë, kam një periudhë prej afro shtatë vitesh që luaj jashtë dhe tashmë rikthehem në Shqipëri, te Partizani. Më bindi Partizani, sepse që në fillim vura re se është një klub i organizuar mirë dhe më ka bërë shumë përshtypje. Është një ekip i përbërë më së shumti me djem të rinj me dëshirë dhe ego për të punuar dhe për të korrur sukses në të ardhmen. Po ashtu, edhe infrastruktura e klubit dhe organizimi në total më ka bërë shumë përshtypje, kështu që jam i lumtur që kam ardhur dhe jam pjesë e Partizanit.

Sa ju ka ndihmuar pauza e ndeshjeve të përfaqësueseve për t’u përshtatur me ekipin dhe për të ardhur në formën e duhur fizike?

Për mua personalisht normal që ka ndikuar për mirë, sepse tani bëj afro tri javë këtu dhe besoj se jam futur në ritmin e duhur për të qenë pjesë e ekipit në çdo situatë. Nga ana tjetër skuadra para pauzës po kalonte një moment shumë të mirë, ku kishin marrë dy fitore. Shpresoj që ndalesa të mos ndikojë negativisht dhe të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Shohim përpara për ndeshjet e radhës.

Këtë fundjavë ndesheni me Elbasanin, si e prisni këtë ndeshje?

Rikthimi i Elbasanit në Kategorinë Superiore është një lajm i mirë për futbollin shqiptar dhe vetë ligën. Sa i përket organikës së tyre, me sa e kam ndjekur, janë një ekip me eksperiencë, me lojtarë që luajnë prej vitesh në Superiore. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, por siç e dini, Partizani hyn në çdo ndeshje për maksimumin e pikëve dhe në Elbasan do të shkojë vetëm për fitoren dhe për të vijuar serinë e rezultateve të mira që kemi si ekip.

Një ndeshje e dy mbrojtjeve më të mira në kampionatit. Si e shihni këtë sfidë repartesh?

Padyshim që do të jetë një “luftë” e fortë në fushë. Edhe ata kanë një mbrojtje shumë të mirë, por ne mendojmë vetëm për të vijuar ecurinë tonë të mirë. Shohim veten tonë në radhë të parë dhe më pas merremi me kundërshtarin. Mendojmë të mos pësojmë gol ne vetë dhe të vijojmë me ecurinë me fitore. T’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe të mundohemi në çdo 90-minutësh të marrim maksimumin.

U bashkuat me Partizanin në fund të shtatorit, përse vonoi kaq shumë zgjedhja e klubit të ri?

Unë isha në bisedime me disa klube të tjera në Europë, por për arsye të ndryshme nuk ndodhi. Me Partizanin kam qenë prej kohësh në bisedime. Erdha me vonesë, por siç thashë edhe më herët, pauza më ka ndihmuar shumë që të kap ritmin dhe besoj se e ndiej veten gati. Mezi pres që të futem dhe të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin.

Pra, pavarësisht se nuk luani në ndeshje zyrtare që nga qershori, jeni gati për ndeshjen e radhës?

Po, besoj se jam gati, sepse edhe në sezonin e shkuar kam zhvilluar mbi 20 ndeshje me Tobol dhe Manisën, kështu që nuk kam mungesë minutash apo ndeshjesh. Jam lojtar që fiziku më ndihmon që ta kap ritmin shumë shpejt.

E shihni Partizanin si një trampolinë për t’u kthyer sërish në arenat europiane të futbollit?

Padiskutim që po, siç e dimë të gjithë Partizani është klubi më i madh shqiptar. Të them të drejtën, tani që kam ardhur dhe kam parë infrastrukturën dhe organizimin, mund të them se Partizani nuk ka ndonjë ndryshim me ekipet e tjera ku kam qenë në Europë. Sa i përket të qenit një “trampolinë”, besoj dhe shpresoj se do të bëjmë një sezon pozitiv me Partizanin dhe pse jo në fund të vitit të transferohemi në liga më të forta. Këtë nuk e them vetëm për vete, sepse ekipi ka edhe shumë çuna të tjerë të rinj cilësorë. Të bëjmë mirë këtë vit dhe të shpresojmë që secili të ketë një mundësi të tregojë veten jashtë.

Bëheni disa qendërmbrojtës të nivelit të lartë dhe ka mjaft konkurrencë për vendin e titullarit. Si ndikon kjo te ju?

Kemi lojtarë shumë të mirë dhe ekipi ka ecur po aq mirë. Por shpresoj që me eksperiencën time të jem një “armë” shtesë për Partizanin. Secili të japim maksimumin dhe pastaj se kush do të luajë dhe kush jo, e vendos trajneri. Ne na mbetet vetëm të ndihmojmë ekipin në çdo minutë apo sekondë që do të na vijë rasti.

Kemi thënë gjithnjë se Partizanit i mungon një lojtar me përvojë në mbrojtje. Besoni se këtë rol mund ta mbuloni ju?

Shpresoj që po! U bë vite që luaj jashtë, që është eksperiencë më vete. Por edhe pse këta çuna janë të rinj, kanë gjithashtu eksperiencë, sepse luajnë prej kohësh në Superiore. Shpresojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe në fund edhe klubin që të arrijë objektivat e veta. E gjeni Partizani në krye. E keni besimin se mund ta mbani vendin e parë deri në fund dhe të arrini suksesin në “Final 4”? Me aq sa kam parë këto ditë në stërvitje, kam vënë re një ambient shumë të mirë, me djem të rinj entuziastë, që dëshirojnë të punojnë shumë.

Do të jetë një kampionat i luftuar, por besoj se Partizani jo vetëm që e ka nivelin për të mbajtur kreun, por për ta fituar titullin, për t’i shkuar deri në fund. Ne jemi të përgatitur për të marrë çdo sfidë njëra pas tjetrës dhe në fund të përmbushim çdo objektiv që klubi ka vendosur.

Keni luajtur edhe me Tiranën më parë. Ku ju kanë pritur më mirë?

Unë jam lojtar që kam krijuar respekt dhe shoqëri në çdo ekip ku kam luajtur, jo vetëm te Tirana, por edhe tek ekipe të tjera ku kam qenë. Kam krijuar marrëdhënie shumë të mira shoqërore me lojtarët, por edhe me drejtuesit. Është një shprehje që thotë që si e tregon veten, ashtu edhe të presin. Kështu që atje më kanë pritur shumë mirë, por edhe te Partizani kam gjetur një ambient shumë të mirë dhe jam inkuadruar direkt si pjesë e grupit. Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë.

Kishte klube të tjera të Superiores që ju telefonuan?

Direkt nuk kam pasur diskutime, por indirekt ka pasur biseda. Gjithsesi, e kisha ndarë mendjen të vija te Partizani, sepse e kam parë që është klub serioz, me ambicie, djem të rinj cilësorë dhe infrastrukturë me kushtet e një klubi europian. Kjo më ka bërë të mos e diskutoj fare, por të vishem i kuq dhe të jap maksimumin për fanellën.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"