Partizani, një jordanez për të forcuar sulmin. “Demat” kanë konkurrencë të fortë për 20-vjeçarin
Largimi i Carës, por edhe boshllëqet që Partizani kishte në sulm, e shtyjnë klubin e kuq që gjatë kësaj merkatoje të punojë intensivisht për afrimet e lojtarëve në ofensivë.Dmitri Podstrelov është afrimi i parë i “demave”, me bjellorusin, që mund të luajë në të gjitha rolet e ofensivës. Por të kuqtë nuk kanë ndërmend të ndalen me kaq, pasi ekipi ka nevojë për lojtarë që bëjnë diferencën dhe që kanë aftësi të mira dribluese.
PAZAR NË JORDANI – Tregu i jashtëm mbetet një opsion, teksa duket se të kuqtë kanë shkuar deri në Jordani për të tentuar shërbimet e një sulmuesi që i përshtatet cilësive të kërkuara. Në korridoret e klubit qarkullonte prej ditësh lajmi i transferimit të mundshëm të një lojtari që vjen nga vendet e Lindjes së Mesme dhe mediat atje kanë hedhur dritë mbi këto lëvizje, duke zbuluar edhe emrin e lojtarit të kërkuar. Ai është Ali Al-Azaizeh, jordanezi 20-vjeçar. Klubi i Al Ramtha zotëron kartonin e sulmuesit dhe këtë muaj do të vendoset gjithçka. Partizani po punon në mënyrë intensive për të siguruar shërbimet e të riut, teksa mbetet për tu parë nëse do ta marrë fillimisht në huazim apo menjëherë në formën e blerjes. Sipas mediave jordaneze, Partizani është në krye të listës së ekipeve të interesuara për momentin.
KONKURRENCA – Për Al-Azaizeh janë përfolur po ashtu oferta nga Bahreini dhe Iraku. Madje AlKhaldija e Bahreinit u shfaq si klubi që ishte gati për huazimin me të drejtë blerjeje në fund të sezonit. Ky është opsioni më i mundshëm për Partizanin. Këtë sezon Ali Al-Azaizeh ka shkëlqyer në Jordani. Sulmuesi ka shënuar 5 gola, si dhe ka asistuar 3 të tjerë në 10 ndeshje të luajtura në kampionat, ndërsa Al Ramtha mban vendin e tretë në renditje. 20-vjeçari luan sulmues i djathtë, por nga informacioni i paktë që mund të gjejmë për të është se mund të luajë mirë edhe si i majtë. Al-Azaizeh ka si të preferuar këmbën e majtë, çka mund ta vërë atë në balotazh me Zekën për një vend në formacion, gjithnjë nëse ky operacion finalizohet me sukses.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"