“Partizani nuk na bindi si kryesues, Tirana kërkon t’i largohet fundit”, Starova analizon derbin: Historia ka treguar që…
Sulejman Starova e ka përjetuar derbin e kryeqytetit si me Tiranë, ashtu edhe me Partizanin, ndaj e di mirë çfarë do të thotë për të dy skuadrat një sfidë e tillë. Por ai shpreson që tensioni që ndjejnë dy ekipet, të mos shfaqet në fushën e lojës, teksa pret që spektakli në fushë të jetë i njëjtë me atë që dhurojnë tifozët zakonisht në tribuna.
“Derbi është vitrina e futbollit shqiptar, e themi përherë. Gjysma e spektaklit është e garantuar vetëm nga ambienti që na ka rrethuar gjithmonë, nga tifozeritë, dritat, ambienti i mrekullueshëm. Mbetet për t’u bërë ajo 50% tjetër. Zakonisht themi derbi është i paparashikueshëm dhe kështu e ka treguar historia.
Si i gjen të dy skuadrat? Partizanin në kreun e klasifikimit, ndërsa Tirana me probleme. Një Tiranë që do t’i shkëputet vendit të fundit që nuk është komod, me ambicie për “Final Four”. Ndeshja e fundit e Partizanit me Laçin nuk ka qenë një ndeshje që të na bindë si skuadër që udhëheq kampionati. Megjithëse respekt për Laçin, siç e tregoi sot me tre pikët. Partizani ka probleme në fazën mbrojtëse. Tirana disi më ndryshe. E paparashikueshme. Mund të themi i ka tre rezultatet. Ne duam të shohim një ndeshje me nivel në radhë të parë.
Derbi është për t’u fituar, kjo ndeshje e veçantë, karakteristikë kë ka. Sa vërshëllen arbitri, është luftë për çdo top. Edhe kujdesin e kuptojmë, por një këshillë është që të mos kenë shumë nervozizëm, ndërprerje loje, të paktën i kemi harruar ato”, tha Starova për RTSH.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"