Partizani përgatitet për derbin, Veselinoviç driblon merkaton por lëshon përsëri thumbime: Nuk është se kemi seleksionim të gjerë lojtarësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2025 | 18:11

Partizani përgatitet për derbin, Veselinoviç driblon merkaton por lëshon përsëri thumbime: Nuk është se kemi seleksionim të gjerë lojtarësh

 

Partizani shkon në derbin ndaj Dinamos me ndërgjegjen se në këtë sezon ka një avantazh në duelet direkte ndaj bluve me  të cilët rivalizon për titullin. Por trajneri Aleksandar Veselinoviç, në konferencën e sotme për mediat, ka theksuar se këto i përkasin të shkuarës dhe ekipi duhej të ishte i përqendruar te çdo pikë.

veselinovic

Ai gjithashtu ka “dribluar” përsëri pyetjet për merkaton, por ka lënë të kuptohet se vazhdon të ndjehet mungesa e alternativave në radhët e skuadrës së tij.

Pas fitores me Teutën morali i skuadrës është më i lartë…
Nga dita e parë punoj me një grup djemsh të mrekullueshëm. Patjetër që mund të ndikojë në gjendjen e tyre një rezultat i mirë, por pavarësisht rezultateve ata punojnë në mënyrë të shkëlqyer çdo ditë. Nuk është se kemi seleksionim të gjerë lojtarësh, kemi në gjirin tonë edhe lojtarë të rinj, por të gjithë së bashku punojnë në mënyrë të përkryer.

Janjeva dhe Padstrelau shënuan në ndeshjen e fundit…
Ne jemi një ekip ku shumë lojtarë shënojnë, nuk është se kemi një lojtar që ka bërë shumë gola. Ndeshjen e fundit shënoi Janjeva që është mbrojtës dhe Padstrelau një winger. Padstrelau po luan në pozicionin e vet pasi është një winger. Janjeva është një djalë i mrekullueshëm, ka personalitet dhe është çdo ditë i motivuar. Pozicioni natyral i tij është qendërmbrojtës. Pas largimit të Hadrojt nuk është se kemi zgjidhje natyrale të atij pozicioni. Janjeva si profesionist që është, e ka pranuar këtë rol dhe e interpreton profesionalisht dhe është shumë serioz në këtë pozicion. Pjesa ime është që ta mbështes atë.

Do të vazhdojë Partizani serinë e rezultateve pozitive ndaj Dinamos?
Në dy ndeshjet që kemi luajtur ku kemi barazuar një dhe fituar një tjetër ato tani i përkasin historisë, të shkuarës. Nesër si ne dhe Dinamo City vijmë me ndryshime në përbërje. Çdo ndeshje e re është një bisedë e re. Ajo që është e vërtetë është që duhet të kemi respekt për historinë dhe kulturën e Dinamo City. Njëkohësisht gëzoj të njëjtin respekt edhe për ekipin aktual të Dinamo City. Gjithmonë e them unë tregoj një lloj kulture ndaj çdo kundërshtari dhe Dinamo City specifikisht në këtë rast meriton respekt. Nga ana tjetër ne nuk kemi rrugëdalje tjetër përveç se të mendojmë për veten tonë.

Katër ekipet e para kanë filluar të krijojnë distancë nga ekipet e tjera, e shikoni problem humbjen e motivimit në vazhdimësi?
Tani flasim për ekipin tonë. Ne nuk jemi në atë gjendje apo situatë të mendojmë në atë formë. Nga ana tjetër nëse mendojmë në atë formë do të dukemi arrogantë, pasi në sport duhet të tregojmë respekt të vazhdueshëm. Çdo ekip tjetër në këtë kampionat meriton respekt maksimal dhe mund të numëroj shumë ndeshje nga ato që kanë luajtur ekipet e poshtme të tabelës me ato sipër tabelës që kanë patur rezultate të mira. E kam thënë më herët dhe po e përsëris tani çdo pikë në këtë kampionat është flori. Nuk e di se çfarë mendojnë të tjerët por ky është mendimi im.

Prisni afrime të tjera përgjatë merkatos së janarit?
E kam thënë shumë herë që përgjegjësia ime kryesore është të merrem me metodikën, procesin stërvitor dhe të përcaktoj formacionin më të mirë në raport me atë që kemi. Përsa i përket ardhjes apo ikjes së lojtarëve nuk jam personi që duhet t’i drejtoheni, janë persona të tjerë të cilët mund t’i adresoheni. Në mbyllje, përgjegjësia ime është ndaj djemve që janë aktualisht. Të jem maksimalisht i motivuar dhe t’i përkrah ata maksimalisht.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"