“Partizani riskoi me trajnerin, mbetet pretendent”, Bylykbashi: Elbasanin e pres të paktën në “Final 4”
Dorian Bylykbashi në këtë sezon e ka zëmrën “e ndarë” mes Partizanit dhe Elbasanit. Ish-fantazisti, në një prononcim për “Panorama Sport” i bën një analizë ekipit të kuq, ku shprehet se ndërrimi i trajnerit në startin e kampionatit është si thikë me dy presa.
Bylykbashi shton se priste afrime më prestigjioze në merkato, por thekson se të kuqtë mbeten favoritë absolutë për titullin. Sipas tij, Elbasani duhet të kualifikohet minimalisht në Ligën e Konferencës.
Si ju duket ky Partizan i sezonit të ri? Ju ka pëlqyer ekipi?
Është pak shpejt për të dalë në konstatime. Është e qartë se fillimi i sezonit është i vështirë për të gjithë. Vijnë nga faza përgatitore e më pas Europa, që ka konsumin e vet të energjive. Këto javë të para më së shumti shërbejnë për konsoliduar ekipin, sepse është ndryshimet kanë qenë të shumta këtë verë. Kjo javë e Kombëtares mendoj se do t’i bëjë mirë ekipin dhe trajnerit të ri. Ishte shumë e nevojshme kjo pauze sa i përket ndeshjeve.
Prisnit një merkato me më shumë emra te të kuqtë?
Logjikisht duhej të kishte pak më shumë emra të njohur dhe të afirmuar në futbollin tonë, por shpresoj të jenë bërë lëvizjet e duhura. Kanë ikur disa lojtarë të rëndësishëm dhe titullarë dhe shpresoja që të zëvendësoheshin me lojtarë të të njëjtit nivel. Dua të theksoj se lojtarët e ardhur nuk i njohim shumë dhe shpresoj që drejtuesit të kenë bërë zgjedhjet e duhura. Ata janë brenda ekipit dhe e dinë ku “pikon çatia”.
Çfarë prisni nga Partizani i trajnerit Veselinoviç?
Të them të drejtën edhe pak e paqartë, sepse ndërrimi i trajnerit në këtë pikë është si thikë me dy presa. Veselinoviç ndoshta është përpjekur të marrë masat e duhura dhe të punojë në mënyrë analitike ende pa mbërritur, por ai ende nuk besoj se i njeh mirë lojtarët. Zakonisht trajneri kur vjen në momentin e duhur jep mendimet e tij edhe për merkaton, kjo nuk ka ndodhur në këtë rast. Shpresoj të bëjë më të mirën për aq mundësi sa ka deri në hapjen e merkatos së janarit, ku besoj se do të ketë kërkesat e veta mbi transferimet. Gjithsesi, Partizani mbetet gjithnjë aty, pretendent kryesor për titullin, pavarësisht problemeve dhe pengesave që mund t’i dalin rrugës. Ka një skuadër me elementë shumë cilësorë.
Sa e kanë dëmtuar largimet e titullarëve dhe së fundmi i Magetit?
Të gjithë titullarët e ikur kishin peshë të rëndësishme në ekip, por më së shumti mendoj se ka ndikuar ikja e Magetit. E kam thënë edhe më parë se ai ishte një lojtar kryesor te Partizani dhe ka lënë boshllëk të konsiderueshëm në skuadër.
Kush besoni se mund ta zëvendësojë senegalezin?
Mehmeti më pëlqen shumë si lojtar dhe shpresoj shumë që të bëjë që mungesa e Magetit të ndihet sa më pak. Besoj se do të jetë një nga lojtarët kryesorë në repartin e mesfushës dhe jo vetëm. Do të jetë pikë kryesore e Partizanit.
E shihni si favorit për titullin ekipin e Veselinoviç?
Partizani çdo sezon hyn për titullin dhe besoj se as këtë vit nuk do të dalë jashtë traditës së vet. E shoh në “Final 4” dhe më pas duke luftuar fort për titullin, që me këtë skemë mbetet i vështirë për tu parashikuar.
Sa larg mendoni se mund të shkojë skuadra juaj e qytetit, Elbasani?
Fillimisht, është diçka shumë e mirë për Kategorinë Superiore që Elbasani është ngjitur në elitë. Janë një nga ekipet me traditë në vendin tonë dhe siç e keni parë vjet dhe në këto javë të para, tifozët kanë qenë të shumtë në stadium dhe u kanë dhënë të tjera ngjyra kampionatit. Sidomos në një moment kur numri i spektatorëve sa vjen e ulet. Elbasanin e pres që të jetë të paktën në “Final 4”. Kam parë një impenjim të madh në merkato, me drejtuesit që janë përpjekur të bëjnë më të mirën për afrimet. Kanë ardhur lojtarë me mjaft cilësi. Sigurisht, është e vështirë, sepse kanë ndodhur shumë ndryshime dhe duhet të ambientohen, të lidhen me njëri-tjetrin. Është bërë mirë në merkato dhe për më shumë ka ardhur një profesionist i shquar si trajneri Bordin. Shpresoj që ky Elbasan të kapë minimalisht kalimin në Europë, sepse e meriton plotësisht. Është një qytet i tërë që jeton me futbollin.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"