“Partizani shkon në Final 4 edhe pa trajner”, Shpëtim Duro analizon garën për titull: Elbasani është surpriza negative

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2024 | 22:23

“Partizani shkon në Final 4 edhe pa trajner”, Shpëtim Duro analizon garën për titull: Elbasani është surpriza negative

Trajneri i njohur, Shpëtim Duro, mendon se Partizani bashkë me Egnatian do të jenë dy skuadrat më të favorizuara për të diskutuar mes tyre titullin kampion në “Final 4”. Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, trajneri i cili ka drejtuar të dy këto skuadra, shprehu besimin që ato janë më të pajisurat për t’i shkuar deri në fund kompeticionit.

duro

Ndërkohë, në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Duro foli edhe për ekipe të tjera me pretendime, si Vllaznia e Elbasani, duke e cilësuar një surprizë negative këtë të fundit për shkak të mungesës së rezultateve.

Ecuria e skuadrave dhe pretendentët
Unë e kam thënë shpesh here që skema ka ndikuar tek motivimi i skuadrave. Partizani është në vendin e parë, por nuk ka shumë rëndësi vendi i parë, pasi Partizani si me trajner apo pa trajner do të jetë në Final 4 me 100%. Ka mbështetjen e tifozerisë, stadiumin e tij, ndaj nuk diskutohet pjesëmarrja në Final 4. Por mund ta humbasë kampionatin me këtë formulë, ashtu siç e humbi edhe vjet për një ndeshje. Ndaj në këtë kampionat skuadrat e kanë luksin që ekipet të gabojnë gjatë kampionatit dhe sërish të luftojnë. Partizani dhe Egnatia janë skuadrat me më shumë potencial dhe më stabël, që mund të luftojnë deri në fund. Surprizën negative për mendimin tim po e bën Elbasani, pasi ka investuar shumë, ka një impiant modern dhe një përkrahje të madhe nga tifozeria, ndaj nuk është e pranueshme që të mos fitojë në 6 ndeshje radhazi. Prisja personalisht më shumë nga kjo skuadër.

Gjendja e Tiranës
Mendoj se rezultatet e mbajnë trajnerin. Tirana ka bërë shumë ndryshime në periudhën e verës dhe për këtë ka meritë si trajneri Shkëmbi dhe drejtori sportiv Ibrahimi që kanë ndërtuar një skuadër të mirë. Rezultatet nuk kanë qenë pozitive, e vërtetë. Shkaqet kanë qenë të shumta. Në disa raste fati ka qenë kundër, duke bërë që Tirana të humbasë disa ndeshje në fund, gjithashtu edhe fakti që ka luajtur jashtë Tiranës, e cila është një situatë jo normale, duke ditur edhe efektin që ka tifozeria te kjo skuadër. Këto aspekte e kanë penalizuar skuadrën. Nuk dua të flas për Shkëmbin, aq më tepër që kam lexuar se ato kanë edhe probleme të brendshme në klub. Shumë e rëndësishme dhe pozitive që me Maganin skuadra debutoi me fitore, por në vazhdim do të ketë teste shumë më të rëndësishme për këtë skuadër.

Vllaznia dhe objektivi titull
Jo më kot citova që Partizani e Egnatia janë më skuadrat me më shumë personalitet, sidomos në aspektin mbrojtës. Kurse Vllaznia mbetet po ajo skuadër e vitit të kaluar, përpos 2-3 elementëve të rinj. Do të shkojë besoj edhe këtë vit në Final 4. Po e shfrytëzojnë shumë mirë faktorin fushë, por nuk po tregojnë personalitetin e duhur në ndeshjet që zhvillojnë jashtë “Loro Boriçit”. Duhet të arrijnë rezultate pozitive edhe në transfertë  Megjithatë mendoj se edhe Vllaznia do të jetë aty, mes katër skuadrave më të mira për të diskutuar dhe për të luftuar deri në fund për titull.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"