“Partizani u nxitua, trajneri i huaj ka kosto”, ish-kapiteni Tafaj: Shehi kërkoi afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2024 | 22:37

“Partizani u nxitua, trajneri i huaj ka kosto”, ish-kapiteni Tafaj: Shehi kërkoi afrime

Ish-kapiten i Partizanit, Fatjon Tafaj, më pas edhe ndihmës trajner për gati dy vite, në një prononcim për “Panorama Sport”, analizon zhvillimet e fundit në klubin e kuq.

FATJON TAFAJ

Ish-mbrojtësi shprehet se largimi i Shehit nga ana e klubit ishte vendim i gabuar dhe se pas një ecurie jo të mirë duhet të marrin përgjegjësi edhe drejtuesit e tjerë. Ai shprehet se Partizanit i duhen afrime në dy reparte.

Partizani largon Shehin pas shtatë muajsh. Vendim i drejtë, ishte Shehi përgjegjësi kryesor dhe i vetëm?

Për mendimin tim trajneri do kohën e vet. Çdo trajner ka filozofinë e vet të lojës dhe minimalisht i duhen 1 vit e gjysmë që të dalë te ajo lojë që ai mendon. Nga ana tjetër nuk e di sesa kanë ndikuar deklaratat që ka dhënë trajneri në lidhje me prurjet e futbollistëve. Mesa kam lexuar, Shehi ka thënë gjithnjë se i duhen prurje. Këtu tani duhet të hyjmë pak edhe te pjesa e drejtuesve të tjerë, sesa trajnerit i plotësohen kërkesat e tij.

Filozofia e lojës së një trajneri përshtatet edhe në bazë të lojtarëve që ai kërkon të afrohen në skuadër. Për mendimin tim është e gabuar të nxitohemi me heqjen e trajnerëve, sepse çdo gjë ka një cikël. Për sa kohë unë isha pjesë e Partizanit, mesa di Gesi (Shehi) ka qenë shumë i preferuar si nga tifozët, ashtu edhe nga drejtuesit.

Të them të drejtim më ka bërë habi largimi i tij. Unë personalisht këmbëngul që kur skuadra nuk ecën mirë, gjërat të shihen me kujdes dhe barra të mos bie vetëm mbi trajnerin. Shoh që vetëm trajneri është parë si problem këtu dhe të gjithë të tjerët duket sikur e kanë bërë punën mirë. Kur fitohet, dalin të gjithë drejtorët e me radhë dhe vjelin merita, kurse kur humbet, trajneri është fajtori. Duhet të mbahen përgjegjësi nga ata që i besohet drejtimi i një projekti.

Si e shihni përbërjen aktuale të Partizanit? Ka shumë lojtarë, por pavarësisht kësaj ka role të pambuluara…

Çështja e sulmuesve të qendrës me shumicë dhe mungesës së lojtarëve të krahut, është problem i menaxhimit, jo e trajnerit. Trajneri kërkon një “uinger”, një mesfushor qendre dhe ai që është përgjegjës, punon për t’ia sjellë. Dëmtimet gjithashtu e kanë penalizuar Partizanin, kanë mbetur jashtë lojtarë kryesorë. Në kampionatin që kaloi Partizanin nuk e shoh si dështim, sepse në fund të fundit shkoi në finale ndaj një ekipi si Egnatia, që ishte goxha e konsoliduar.

Do të ishte më mirë një trajner i huaj apo shqiptar për Partizanin?

Trajnerët kanë avantazhin që e njohin kampionatin tonë, strategjinë e klubeve dhe vetë lojtarët. Kurse të huajt e kanë problem këtë, por mundet që një trajner i huaj të punësojë staf shqiptar dhe të kombinohen shumë mirë.

Nga ana tjetër kam dyshime që klubet tona janë të afta për të plotësuar buxhetin që kërkon një trajner i huaj dhe cilësor. Një trajner i huaj me emër kur vjen në Shqipëri ka pagë të majme, por kërkon edhe lojtarë dhe kostoja e klubit rritet.

Nga cili prej djemve të skuadrës së vjetshme prisnit më shumë?

Të them të drejtën pritja jashtëzakonisht shumë nga Skuka, por nuk i vë edhe shumë faj se minutat e pakëta dhe mungesa e ritmit ndikon. Ai tani është kthyer te Metzi, por shpresoj të rikthehet edhe një herë më i mirë seç ka qenë. Për mua ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë në Shqipëri në vitet e fundit. Kisha një pritshmëri shumë më të madhe.

Ku mendon se duhet të përmirësohet Partizani në këto ditë të fundit në merkato?

Partizani ka vuajtur në pjesën difensive, por edhe në aspektin difensiv. Duhet parë pjesa e mbrojtjes dhe e sulmit. Nuk gjykoj pjesën e cilësisë te lojtarët aktualë, por gjithnjë ka vend për përmirësim.

Ekipet shqiptare dështuan në Europë. Ka rënë niveli i Superiores?

Absolutisht që po. Ky është gjithë problemi i kampionatit shqiptar. Nëse i shikojmë në letra, nuk kanë qenë kundërshtarë shumë të fortë. Të katërta ekipet dështuan dhe nuk treguan nivelin e pritshëm. Egnatia ndryshoi shumë dhe kjo ndikoi. Superiorja nuk e ka ritmin e duhur dhe ky është problemi.

Sa larg mund të shkojë Dinamo?

Ka pasur ndryshime të shumta dhe kërkon kohën e vet. Por mund të rezultojë edhe që të kenë ecuri të mirë që në ndeshjet e para dhe të shpërthejnë. Dinamo ka bërë merkato shumë të mirë. Mund t’i duhen edhe një apo dy lojtarë për të gjetur stabilitetin deri në fund të kampionatit. Unë mendoj se Dinamo mund të bëjë gjëra shumë të mira në këtë sezon, mund të zërë një vend në katërshe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"