Pas tensionit me Devollin, reagon trajneri i Tomorit: Skenar kundër nesh, nuk na duan të parët
Ndeshja Devolli-Tomori u shoqërua me trazira dhe trajneri i skuadrës beratase, Iken Droboniku, e konsideron si një skenar dashakeqës të gjyqtarëve vlonjat. Për “Panorama Sport”, trajneri i Tomorit u shpreh: “Ishte një masakër e vërtetë në dëm të Tomorit, me një skenar të parapërgatitur nga tre palë, dy brenda fushës dhe në shkallet e stadiumit.
Protagonistë ishin gjyqtarët nga Vlora dhe tifozët vendës, që ofendonin në kor dhe gjuanin me sende. Nuk përjashtohet mundësia, që të ketë pasur një dirigjim nga palë të treta e faktorë të jashtëm. I gjithë skenari nisi të zbatohej në minutat e para, ku ndëshkohemi me tre kartonë të verdhë. Gjyqtarët nuk u mjaftuan me kaq, ju dogji avantazhi ynë dhe na ndëshkuan me kartonë të kuq mbrojtësin Vrapi për ofendim ndaj publikut vendas. Më tej, kur unë si trajner kërkoja sqarim për të kuqin, si dhe me të drejtë kërkova që të dilnin jashtë stadiumit tifozët që na shanin në kor dhe na godisnin me sende të forta pa asnjë arsye, që në nxehje, kryesori jashtë çdo logjike më ndëshkon mua dhe përgatitësin e portierëve, Madrid Muxhaj.
Estrada vazhdon kur tifozërinë vendëse, nga pjesa ballore e sjellin në tribunën qendrore. Jemi shumë të irrituar, sepse po imponojnë humbje dhe barazime në ndeshjet që luajmë në transfertë, ku nuk po na ndahen gjyqtarët nga Vlora. Në Këlcyrë na sollën gjyqtarë të rinj dhe pa eksperiencë. Nuk do të lejojmë pas kësaj masakre që ndodhi në Devoll, që skuadra, gjyqtarë, tifozë dhe të tjerë faktorë që luajnë në prapaskenë të tallen me djersë dhe mundin tonë. Në Berat respektojmë kundërshtarët në fushë dhe jashtë saj. Kështu si po na trajtojnë gjyqtarët nga Vlora dhe skuadra periferike me emra lumenjsh dhe gryka malesh, e bën shumë të vështirë mikpritjen e tyre në fazën e dytë. Ngjarja e Devollit dhe kartonët pa kriter janë të turpshme dhe një kambanë alarmi për atë që po i ndodh Tomorit. Duan të na largojnë nga gara për vendin e parë, me inskenim të parapërgatitur jashtë fushës së futbollit, por të zbatuar në mënyrë të shëmtuar në fushën e blertë si në Devoll”.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"