Pas testit kundër Sitit, Flik: Jam i lumtur me ekipin
Barcelona ka barazuar 2-2 (ka fituar më pas me penallti 4-1) në testin e saj të parë në turin amerikan kundër Mançester Sitit. Një paraqitje mjaft e mirë e të rinjve të aktivizuar nga Hansi Flik që e kanë lënë të kënaqur trajnerin e tyre.
“Jam shumë i lumtur për paraqitjen e bërë ndaj Sitit, kemi parë gjëra të mëdha. Kemi luajtur kundër një skuadre të madhe me lojtarë fantastikë. Jam shumë i lumtur. Jemi mbrojtur si skuadër dhe gjithashtu kemi sulmuar si skuadër”, shpjegoi trajneri gjerman.
Trajneri gjerman i katalanasve theksoi gjithashtu se ditët e para të parasezonit kanë qenë të fokusuara mbi të gjitha në pjesën fizike, edhe pse me disa seanca taktike, bazuar në tranzicionet mbrojtje-sulm. Natyrisht, ai vuri në dukje edhe disa gjëra që nuk e kanë bindur në testin e dytë sezonal.
“Ne u mbrojtëm shumë prapa. Nuk është ajo që më pëlqen shumë. Ne duhet të përmirësohemi në këtë drejtim”, pranoi ai. Hansi Flik nuk ka dashur të kalojë në vlerësime individuale, megjithëse ka vënë në pah edhe një herë të rinjtë dhe ka folur vetëm për grupin.
“Ne jemi një skuadër, të rinj e ata me eksperiencë. Nuk dua të flas vetëm për individë, por fakti që jam i kënaqur në tërësi me paraqitjen e skuadrës mendoj se thotë vetë diçka. Nëse të rinjtë që kemi afruar luajnë fort, kjo është ajo që ne duam. Ne duam të jemi një ekip që lufton. Ka situata në të cilat ata kanë luftuar, kanë punuar dhe kanë dashur të punojnë për ekipin. Është fantastike. Sidomos për të rinjtë. Ne ishim një skuadër e fortë, përballë një ekipi të madh, dhe ne garuam si të barabartë me Mançester Sitin”, tha ai.
Gjithsesi, trajneri i Barcelonës, nuk ka kaluar pa vlerësuar edhe njëherë lojtarët e rinj, ndërkohë që ka nënvizuar se kushtet e motit kanë kushtëzuar jo pak paraqitjen e bërë nga të dyja skuadrat në fushë.
“Unë jam krenar për lojtarët e rinj. Ne kishim gjithashtu një portier fantastik. Ne ishim një ekip dhe Anderi ishte i rëndësishëm te penalltitë” shtoi ai. Kujtojmë se në turneun amerikan të Barcelonës, trajneri Hansi Flik ka marrë me vete plot 31 lojtarë ku gjysma e tyre vijnë nga ekipet e moshave të Barcelonës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"