Pas Vlahoviç “futi në xhep” edhe Lukakun, statistikat e Ismajlit bindin Juven. Gati sulmi që në janar për mbrojtësin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2024 | 20:17

Pas Vlahoviç “futi në xhep” edhe Lukakun, statistikat e Ismajlit bindin Juven. Gati sulmi që në janar për mbrojtësin e Kombëtares

Ardian Ismajli dha provën e radhës se është një nga mbrojtësit më të mirë në këtë sezon në Serinë A. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare, pasi ia kishte dalë të “fshinte” nga fusha Dovbik dhe Vlahoviç në ndeshjet e mëparshme, edhe këtë fundjavë ndaj Napolit ndali një tjetër qendërsulmues me famë si Romelu Lukaku.

ismajli vlahovic

Paraqitjet e Ismajlit në këto javë të para janë mbresëlënëse pasi rezulton se deri tani pasi ka fituar 80% të përballjeve, 63% të dueleve dhe 60% të atyre ajrorë, duke qenë një lojtar dominues në sfidat individuale në fushë. Po t’i shtosh këtyre edhe 78 ndërhyrje të sakta, 7 ndalesa dhe 14 bllokime pasimesh, bëhet e qartë se flitet për një lojtar me shifra të jashtëzakonshme që kanë ndihmuar Empolin të ketë një nga mbrojtjet më të mira deri në këtë pikë të kampionatit.

Ndaj mediat italiane e bëjnë thuajse fakt të kryer ndërhyrjen e Juventusit në merkaton e janarit për të siguruar mbrojtësin shqiptar. Duke parë se kontrata e tij është në mbyllje në verë dhe se për të interesohen edhe Napoli me Interin, bardhezinjtë duken gati të bëjnë një shpenzim të vogël për Ismajlin, për të siguruar firmën e tij dhe praninë me torinezët që në pjesën e dytë të sezonit, duke pasur parasysh mungesën afatgjatë të Bremer.

Mediat italiane shtojnë se Xhuntoli e ka ndjekur me shumë interes që në periudhën kur ishte te Napoli dhe kishte kërkuar ta merrte në skuadër, ndërsa edhe Tiago Motra e pëlqen si lojtar.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"