Pasojat e infarktit në fushë të lojtarit të Fiorentinës, flet mjeku i njohur: Ka rrezik ta lërë futbollin
Daniele Andreini, përgjegjësi i repartit të kardiologjisë në spitalin “Galeazzi” në Milano ka folur për situatën që i ndodhi mesfushorit Edoardo Bove duke dashur që të shpjegojë arsyet dhe mundësitë që ai ka për të rifilluar futbollin.
Çfarë i ndodhi Boves?
Duket se ka qenë rasti klasik i një arresti kardiak. Në 99% të rasteve ndodh nga aritmia e zemrës. Lojtarit i është bërë masazh kardiak dhe nuk përjashtohet mundësia që me masazhin zemra e tij të ketë nisur të punojë sërish. Në ambulancë ose në spital është përdorur defibrilatori. Nëse ekziston një shkak themelor, aritmia kalon, por më pas mund të përsëritet.
Në çfarë rastesh mund të parashikohet ajo që ndodhi?
Aritmia nuk mund të parashikohet më përpara. Ndonjëherë mund të kuptohet vetëm arsyeja pse ndodh. Ka edhe aritmi malinje, që mund të të shfaqen edhe në zemra të shëndetshme në planin struktural. Janë situata të kuptueshme vetëm nga elektrokardiograma që tek një sportist profesionist, rrallë diagnostikohen. Për sportistët profesionistë, rastet që çojnë në situata të tilla janë ose kardiomiopati ose diçka gjenetike. Ndoshta edhe ndonjë anomali e momentit. Është shumë e vështirë që të parashikohet më përpara.
Çfarë do të ndodhë në orët e ardhshme?
“Careggi” është një spital me qendrën e kardiologjisë të avancuar. Do të bëhen analiza më të detajuara si rezonanca magnetike e zemrës për të kuptuar më mirë çfarë ka ndodhur. COVID mund të ketë lënë pasoja që në fakt nuk kuptohen. Në shumicën më të madhe të rasteve zbulohet arsyeja që e ka sjellë këtë situatë. Nëse gjithçka del negative, atëherë do të bëhet një historik i aktivitetit të zemrës.
A mund të rikthehet lojtari të luajë?
Është shumë shpejt për ta thënë këtë. Nëse ka qenë një arrest kardiak që kërkon defibrilator, pavarësisht arsyes që e ka shkaktuar, rikthimi në fushë duket i vështirë. Por është herët për të folur.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"