Pedri shfryn ndaj gjyqtarit pas humbjes: Gaboi në dy raste vendimtare
Barcelona pësoi të shtunën në mbrëmje humbjen e parë në La Liga pas 7 fitoresh radhazi. Ajo u mund në “El Sadar” nga Osasuna 4-2, në një takim ku katalanasit luajtën keq, por patën dhe pretendime ndaj gjykimit. Ka qenë mesfushori i Barçës, Pedri Gonzalez, i cili ka kritikuar ashpër gjyqtarin Kuadra Fernandez, ndonëse ka theksuar se kjo nuk është një justifikim për humbjen e thellë.
Blaugranat protestuan shumë për golin e 2-0 të Osasunës me Brajan Saragozën para gjysmë ore lojë, pasi pretenduan për një faull ndaj Pau Viktor në nisjen e aksionit të golit të vendasve. Këto ankesa, në deklaratat e Pedrit, kanë vazhduar edhe pas këtij momenti. “Për mua ishte një gabim trashanik nga gjyqtari. Me këtë që them nuk dua ta justifikoj humbjen tonë. Ne nuk humbëm për shkak të arbitrit, por për mua është faull”, tha Pedri. Variantin e tij e ka konfirmuar edhe shoku i ekipit, personazhi i aksionit Pau Viktor. “Ishte faull i qartë”, shtoi ai.
Por ankesat e katalanasve shkuan më tej. Pedri raportoi edhe për një penallti të mundshme ndaj Lamin Jamal në pjesën e dytë, e cila nuk u sinjalizua. “Unë mendoj se është shumë e qartë” tha ai. Gjithsesi nuk mund të ndryshojmë asgjë. E përsëris se vendimet e gjyqtarit nuk vendosën fatin e takimit, por mendoj se gabimet ishin të dukshme, dy vendime të qarta në dëm të Barcelonës. Por tani është koha të shohim përpara”, deklaroi mesfushori nga ishujt Kanarie.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"