Për fitore në Ballsh, mbrojtësi bën me “krahë” tifozët: Punojmë për “Final 4”, ta dërgojmë Elbasanin ku e meriton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2024 | 11:53

Për fitore në Ballsh, mbrojtësi bën me “krahë” tifozët: Punojmë për “Final 4”, ta dërgojmë Elbasanin ku e meriton

Harallamb Qaqi është përshtatur shumë shpejt me skemat e trajnerit Roberto Bordin te skuadra e Elbasanit, duke fituar një vend titullari stabël. Pas gjashtë javësh, verdheblutë janë skuadra me mbrojtjen më të fortë dhe sipas 31-vjeçarit sekreti është puna e përditshme.

Elbasani

 

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Qaqi flet për sfidën me Bylisin, që e konsideron si të vështirë, por ka besim se më në fund elbasanasit do të marrin edhe fitoren e parë në transfertë. Mbrojtësi i gëzohet ecurisë pozitive të këtij fillim kampionati dhe shpreson që të vazhdojnë me këtë ritëm deri në fund, për të arritur edhe synimet e klubit.

Qaqi, si e prisni të dielën ndeshjen me Bylisin? Normalisht pres një ndeshje të vështirë. Kjo, duke parë se edhe kundërshtarit i duhen pikët, pasi vijnë nga rezultatet jo të mira.

Mungojnë fitoret në transfertë, mendoni se do ia dilni këtë herë? Kam shumë besim tek grupi, pavarësisht disa mungesave. Jemi pak a shumë të plotë dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj jave për të arritur te fitorja.

Jeni mbrojtja më e mirë e kampionatit, cili është sekreti? Nuk ka ndonjë sekret. Jemi duke punuar shumë me trajnerin dhe stafin për fazën difensive dhe kjo shfaqet edhe në fushë. Tani, të shpresojmë që të vazhdojë kështu.

Sa i kënaqur je me ecurinë e skuadrës këto javë të para? Sigurisht që jam shumë i kënaqur, pasi deri tani kemi pasur një ecuri goxha pozitive. Por, është ende herët dhe duhet të vazhdojmë të mbajmë këtë ritëm.

Klubi ka objektiv “Final 4”, mendoni se do të arrihet në fund? Duke nisur që nga presidenti, drejtuesit, stafi dhe i gjithë grupi i lojtarëve, po punojmë fort që të arrijmë objektivin, që është “Final 4”. Besoj se në fund do ia dalim për ta dërguar Elbasanin aty ku meriton të jetë.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"