Për kë luhet Superiorja?! Tifozët braktisin stadiumet e “elitës”, kthim në kohën e pandemisë
Kushdo që nuk e ndjek kampionatin shqiptar, duke parë vetëm tabelën e renditjes logjikisht do të mendonte: “Sa garë emocionuese dhe interesante”. Të kundërtën shprehën tifozët e klubeve të Superiores, që vendosën t’i braktisin ndeshjet e javës së kaluar si shumë të tjera.Numri i tifozëve në javën e 17-të preku fundin. Pesë ndeshjet e luajtura kishin më pak se 2500 të pranishëm në total. Secili stadium ishte i mbushur afërsisht me 5% të kapacitetit.
Fillimi i çdo takimi në Tiranë, Shkodër, Laç, Rrogozhinë dhe Ballsh, të përcillte ndjesinë se po luhej në fusha të dënuara pa praninë e tifozëve. Ndërkohë që sfidat u zhvilluan të dielën dhe të hënën, ditë kjo pushimi zyrtar.
Bileta për të parë një ndeshje kushton shpesh herë më lirë se ajo në kinema, por këto të fundit shesin më tepër dhe gjenerojnë më shumë të ardhura çdo ditë. Ndërkohë bëhet fjalë për elitën e futbollit shqiptar, megjithëse grumbullohen më pak tifozë se në Kategorinë e Parë.
Futbolli humbet vlerën pa tifozët, për të cilët dhe luhet. Kështu harrohet se në një kampionat me dhjetë skuadra, gjysma po luftojnë për vendin e parë dhe pjesa tjetër për t’ju larguar fundit.
Braktisja e klubeve lokale dhemb për të ardhmen e futbollit në Shqipëri. Nuk jemi në karantinë, nuk ka stadiume të pezullara dhe pse ashtu duket, për kë luhet Superiorja?
JAVA E 17-TË E SUPERIORES
E diel, 8 dhjetor:
Ora 13:30, Laçi-Dinamo(0-0), Laç. 200 tifozë.
Ora 13:30, Egnatia-Skënderbeu(1-0), Rrogozhinë. 500 tifozë.
Ora 16:30, Elbasani-Vllaznia(1-2), Shkodër. 600 tifozë.
E hënë, 9 dhjetor:
Ora 13:30, Bylis-Partizani(2-1), Ballsh. 350 tifozë.
Ora 17:00, Tirana-Teuta(0-0), Tiranë. 800 tifozë.
RENDITJA E SUPERIORES
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"