Përgjoni: Bylisi është trampolina ime, dua të shënoj sërish
Nga Besëlidhja në Ballsh, në fakt nuk është më rastësi, pasi dihet që Bylisi është si trampolinë për lojtarët e rinj, që kanë luajtur në ligat inferiore sidomos në vendin tonë. Arli Përgjoni, në fillim të gushtit, nga Besëlidhja iu bashkua Bylisit.
Është një futbollist i talentuar që është rritur në ekipet e moshave të Lezhës. Shtatlarti luan për herë të parë në Superiore, ndërsa synon që të lërë gjurmë, Dje ndaj Tiranës bëri një paraqitje mjaft të mirë, sidomos me mbajtjen e topave dhe thyerjen e aksioneve të ekipit bardheblu, por eurogoli që shënoi ishte “qershia mbi tortë” e 21-vjeçarit.
Pas ndeshjes për “Panorama Sport”, Arli Përgjoni u shpreh: “Transferimi nga Besëlidhja te Bylisi është një hap i madh për mua dhe i rëndësishëm në karrierën time. Jam ambientuar shumë shpejt këtu edhe falë mikpritjes që kam gjetur dhe qetësisë që ka në këtë klub, por sidomos hapësira që u jepet djemve me perspektivë.
Këtu jam munduar që të bëj më të mirën, nuk kisha shënuar gola të atillë, ishte i pari ky kundër Tiranës dhe për këtë jam shumë i lumtur. Shpresoj që të mos mbetet i pari dhe i fundit, mund të shënoja edhe një gol tjetër, por kishte mungesë fati në atë moment. Golin ia dedikoj familjes sime, që ka besuar shumë tek unë dhe Zotit.
Sa i përket karrierës sime dhe synimeve që kam, dua që të luaj sa më shumë në Ballsh, të bëj paraqitje dinjitoze këtu dhe kismet. Bylisi është skuadra më e mirë në vendin tonë që na përkrah dhe beson tek ne të rinjtë dhe dua që të jap maksimumin tim këtu”, tha Arli Përgjoni.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"