Perla e Mazrekajt i jep fitoren Besës. Canaj: Gol i rrallë. Josa: E dinim që Korabi do të mbrohej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2024 | 13:55

Perla e Mazrekajt i jep fitoren Besës. Canaj: Gol i rrallë. Josa: E dinim që Korabi do të mbrohej

Besës i ka mjaftuar perla e Mentor Mazrekajt për të fituar ndaj Korabit, takim i zhvilluar në “Arena Egnatia”, që do të jetë shtëpia e kavajasve për këtë sezon futbollistik. Edhe pse u luajt thuajse me një portë, të besuarit e trajnerit Mirel Josa kanë vuajtur për ta gjetur golin.

BESA KORABI

Mbase nëse nuk do të kishte ardhur eurogoli i Mazrekajt në minutën e 86-të, që shënoi nga goditja e këndit, takimi mund të mbyllej edhe barazim, pasi dibranët u treguan të pakalueshëm në prapavijë. Me këto  tri pikë, Besa bashkëkryeson me Vorën me pikë të plota, 6, por kavajasit duhet të rregullojnë shënjestrën sulmuese.

Ndeshja- Fillim i ndeshjes u shoqërua me një ceremoni simbolike, ku legjenda e futbollit kavajas, Dashnor Bajaziti, me fanellën e Mazrekajt veshur shkelmoi topin e parë të ndeshjes. Që ekipi të kishte mbështetjen e maksimale, klubi dhe Bashkia Kavajë kishin vënë autobusë falas për udhëtimin e sportdashësve nga Kavaja. Takimi u luajt në një fushë fantastike për verdhezinjtë, si ajo e stadiumit të Egnatias. Terreni i mirë pritej që të favorizonte lojën teknike të Besës. Në fakt, e gjithë pjesa e parë u luajt vetëm në portën e Korabit, ku Besa kërkoi golin. Raste të shumta, ku spikat goditja e Stafës, që tronditi shtyllën pingule të portës dibrane. Rastet e Spahiut, Goxhajt sërish nuk arritën të prodhonin gol. Kjo erdhi edhe për meritë të miqve, ku prapavija e rreshtuar me 6 lojtarë luftoi fort në zonë për çdo top.

Pjesa e dytë ruajti të njëjtën tablo loje, ku portieri i Besës Mehidri ishte thuajse spektator, pasi Korabi nuk pati një rast të vetëm të pastër për shënim. Me kalimin e minutave tensioni u shtua te Besa, ku Spahiu shpërdoroi raste flagrante për shënim, dy herë u ndodh i vetëm me portierin Qyrani. Kjo solli edhe nervozizëm te loja e Besës, pasi nuk po arrinte që atë dominim total ta finalizonte qoftë edhe me një gol të vetëm, ku trepikëshi kërkohej me ngulm. Atëherë kur Besa kishte më shumë nevojë vjen edhe përvoja e Mentor Mazrekajt, i cili shënon një gol të rrallë në stadiumet tona. Minuta 86, Besa fiton një goditje këndi. Mazrekaj befason portierin Qyrani dhe të gjithë dibranët, pasi topi i harkuar nga këndi përfundon në rrjetë dhe 1-0 për Besën. Një eurogol që çliron Bizhdilin, Josën dhe të gjithë tifozët kavajas. Besa vuajti shumë kundër Korabit, por në fund rëndësi ka marrja e trepikëshit dhe vazhdimi i rrugës për të realizuar objektivin madhor, ngjitje në Superiore.

BESA-KORABI 1-0

Goli: Mazrekaj: 86’

Besa: Mehidri, Frashëri, Goxhaj, Abdulai, Nurja, Nkube (Mëllugja 60’), Oliverira, Stafa(Ibrahimi 83), Mazrekaj, Spahiu (Aleksandre 60’) Kurt Mert (Rubenilson 67’); (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, kapo, Deliu, Gjinaj, Ramilli). Trajner: Mirel Josa

Korabi: Qyrani, Paplekaj, Sina, Andoni, Kurti, Mziu, Lilaj, Kryemadhi (Stana 81’), Shehu (Perlalta 54’), Reçi (Çikani 81), Çema (Buci 69’); (Në dispozicion: Alla, Hasaj, Tasho, Halilaj, Çomo).  Trajner: Agim Canaj

Kartonë të verdhë: Goxhaj 48’/ Reçi 45’, Andoni 49’, 89, Qyrani 81’

Karton i kuq: Andoni 89’ (2kv)

Gjyqtarë: L.Alla, E.Malo, S. Methoxha (Lushnjë)

Delegat: Erald Shera (Shijak)

Vëzhgues: Emirjon Sino (Fier)

 

Josa: E dinim që Korabi do të mbrohej, duhet shpejtësi

JOSA QOSJA

Besa dominoi kundër Korabit, por vuajti shumë për të marrë trepikëshin. Në lidhje me takimin, trajneri i kavajasve, Mirel Josa, për “RTSH” deklaroi: “E dinim që Korabi do mbrohej. Duhet të vertikalizonim më shumë me mesfushorët anësor. Dolëm në pozicione goli, por duhet të luajmë pak më shpejtë. Korabi nuk na e la këtë në mesfushë dhe në krah, pasi mbrohej mirë. Kur luajmë në një fushë të mirë, duhet të jemi më të qartë. Stafa është në pozita shumë të mira, ndërsa Oliveira dihet që është më shumë ofensiv.

Do të mundohemi të vijmë aty ku duam të jemi. Janë 2 ndeshjet e para dhe skuadrat po njohin njëra-tjetrën. Nuk diskutohet që do të kemi probleme dhe kjo u vu re qartë kundër Korabit. Prania jonë në zonën kundërshtare nuk ishte ajo që duhet dhe duhet të shërbenim shumë më shpejtë. Mazrekaj? Pati njëfarë lodhje në fund, por në ato raste ne rrezikuam. Barazimi për ne nuk ishte i vlefshëm. Fuqia sulmuese e skuadrës së Korabit na lejoi t’i bënim këto lëvizje”.

Canaj: Gol i rrallë, vendosi cilësia e Mentorit

Agim Canaj

Korabi doli pa pikë nga përballja me Besën dhe pas ndeshjes. Për “RTSH” trajneri Agiam Canaj mes të tjerash u shpreh: “Kërkonim pikë, pasi vinim nga një ndeshje jo e mirë me Lushnjën. Kemi një grup lojtarësh të rinj dhe ndryshimet na kanë destabilizuar pak në sulm. Besa u mbrojt mirë dhe ka lojtarë shumë të mirë. Na rrezikuan vetëm me goditje nga distancë. Në pjesën e dytë menduam të rrisim ritmin. Besa u bë më pak e rrezikshme dhe aty kur menduam se do t’i godisnim, erdhi ai eurogol. Këto gola vijnë rrallë në kampionat. Lojtarë të tillë si Mazrekaj kanë atë cilësi që nuk kanë energji në 90 minuta, por kanë këto goditje që dallohen edhe në Superiore. Besa meritoi fitoren me atë eurogol. Besoj se do të jemi më të plotë në vazhdimësi”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"