Përmbytjet në Valencia, ndeshja kundër Realit është në “ajër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2024 | 13:48

Përmbytjet në Valencia, ndeshja kundër Realit është në “ajër”

Një tjetër tragjedi ka goditur rajonin e Valencias në Spanjë, sikurse dhe rajone të tjera të vendit iberik. Përmbytjet “DANA” kanë shkaktuar deri më tani dhjetëra të vdekur në këtë rajon si dhe në rajonin tjetër të Kastilja la Mança.gfdhPor bilanci më i rëndë është në Valencia, ku sipas autoriteteve të “Generalitat Valenciana”, për momentin numërohen 95 të vdekur, ndërsa bilanci mund të rëndohet në orët në vazhdim, me grupet e kërkimit që vazhdojnë të kërkojnë nën rrënoja për të tjerë persona të zhdukur. Dy të vdekur raportohen edhe në rajonin Kastilja la Mança. Ndaj në këtë kuadër, klubi i Valencias i ka dërguar një kërkesë zyrtare federata spanjolle si dhe ligës spanjolle për shtyrjen e ndeshjes kundër Realit të Madridit e programuar të luhet të shtunën në mbrëmje në “Mestalla”.

Pamjet apokaliptike nga përmbytjet në Valencia si pasojë e vërshimit të menjëhershëm të ujërave kanë bërë xhiron e botës dhe me shumë gjasa, të shtunën nuk pritet të ketë futboll. Sipas mediave spanjolle, ndeshja mes Valencia dhe Realit mund të mos jetë e vetmja që do të shtyhet. Shumë nga ndeshjet e kategorive të ndryshme në Spanjë këtë fundjavë mund të ndikohen nga stuhia “DANA”, e cila ka goditur Komunitetin Valencian, “Castilla-La Mancha”, Andaluzinë dhe Aragonin, me virulencë të veçantë në provincën e Valencias dhe në kufirin midis saj dhe Albasete. Për momentin, ndeshjet Parla Eskuela-Valencia dhe Pontevedra-Levante të “Copa del Rey” janë shtyrë tashmë.

“Marca” ka raportuar se në rrezik janë edhe Valencia-Real Madrid dhe Levante-Malaga. Në fakt, Valencia ka kërkuar zyrtarisht që të pezullojnë takimin e së shtunës. Ndërsa La Liga po shqyrton pezullimin e të gjitha ndeshjeve në Komunitetin Valencian. Komuniteti Valencian mund të shpallë zi zyrtare, diçka që nuk do të thotë se ndeshjet duhet të pezullohen në vetvete, por që mund të bëjë që klubet të jenë veçanërisht të ndjeshme ndaj situatës dhe të kërkojnë shtyrje. Valencia tashmë ka ndërmarrë hapin për të kërkuar një pezullim nga La Liga. Ajo që La Liga ka njoftuar tashmë është se do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha ndeshjet e luajtura këtë ditë, në kujtim të viktimave të shkaktuara nga stuhia.

Për tragjedinë që ka prekur rajonin e Valencias por dhe rajone të tjera të Spanjës ka pasur një solidarizim të plotë nga të gjithë klubet e futbollit. Edhe Reali i Madridit, rivali i së shtunës i Valencias ka dalë me një komunikatë zyrtare duke i shprehur ngushëllimet të gjithë familjarëve të viktimave që kanë humbur jetën në rajonin e Valencias, si pasojë e stuhisë “DANA”.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"