Pesë gola në pesë javë, te Kukësi shënon vetëm kapiteni Mario Beshiraj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 16:01

Pesë gola në pesë javë, te Kukësi shënon vetëm kapiteni Mario Beshiraj

Kukësi po përjeton ndoshta rastin më unikal në botë. Në pesë ndeshje, kanë shënuar pesë gola dhe të gjitha kanë ardhur nga një futbollist. Bëhet fjalë për Mario Beshirajn, i cili këtë sezon mban edhe shiritin e kapitenit në kampin verilindor.

Beshiraj kukesi

Praktikisht duket se është ai, “engjëlli mbrojtës” i bluve, për më tepër që në sfidën e fundit shënoi edhe dy gola në përmbysjen ndaj Valbonës në transfertë. Me golat e tij i ka dhënë skuadrës gjashtë pikë dhe ka shënuar në katër nga pesë përballjet e deritanishme, ku duket se gjithçka rrotullohet në këmbët e 24–vjeçarit.

PRONONCIMI – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Beshiraj tregohet modest për këtë start sezoni fantastik në aspektin personal, duke ia dhënë meritat të gjithë ekipit për punën e bërë. Sipas tij, është ende herët për të diskutuar për “Këpucën e Artë”, pasi golat për momentin duhen për t’i dhënë skuadrës pikët. “Të them të drejtën ndihem mjaft i kënaqur, që këto tri pikët ndaj Valbonës u shoqëruan me një dygolësh. Personalisht e prisja këtë start të sezonit në aspektin personal, sepse kemi një ekip që punon shumë në fazën sulmuese. Janë djemtë ata që më ndihmojnë dhe mbështesin për të shkuar më pas tek goli. Të jem realist nuk po e mendoj “Këpucën e Artë”, sepse është shumë herët për një gjë të tillë. E rëndësishme është që golat e shënuar t’i japin skuadrës tri pikët”, u shpreh fillimisht për gazetën kapiteni i skuadrës së Kukësit.

FITORJA E KTHESËS – Ndaj Valbonës nuk ishte një fitore e lehtë, për më tepër që erdhi me përmbysje, pas atij disavantazhi të shpejtë. Për Beshirajn, ishte një detyrim marrja e fitores dhe për fat të mirë ia dolën. “Kjo fitore ishte një detyrim për ne. Kukësi është një skuadër që në çdo ndeshje futet në fushë për të luajtur futboll të pastër dhe për të fituar ndeshjen”, u shpreh kapiteni. Më tej, sulmuesi flet edhe për sfidën e radhës, atë me Korabin në “Kukës Arena”. “Mund të them se do të jetë një ‘përplasje’ e fortë. Fitoftë më i miri”, mbylli prononcimin e tij njeriu i momentit dhe shpëtimtari i skuadrës së Kukësit, Mario Beshiraj.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"