Pesë vite në stolin e Arsenalit, Arteta: Më e mira s’ka ardhur ende
Mikel Arteta kishte një ditë të veçantë të premten në karrierën e tij. Trajneri u emërua në stolin e Arsenalit më 20 dhjetor 2019 dhe fitoi Kupën FA në sezonin e tij të parë, përpara se t’i kthente “Topçinjtë” në Ligën e Kampioneve.
Arsenali, që nuk e ka fituar Premier Ligën që nga viti 2004, nën drejtimin e Arsene Vengerit, është rikthyer si një klub elitar, duke përfunduar si nënkampion pas Mançester Sitit gjatë dy sezoneve të fundit. Ata janë aktualisht gjashtë pikë prapa kryesuesve të Liverpulit, përpara ndeshjes së sotme me Kristal Palasin. Arteta tha se kishte shijuar kohën e tij në “Emirates”, ku ai gjithashtu ishte kapiten i ekipit si lojtar.
“Ka kaluar shumë shpejt dhe jam vërtet mirënjohës që jam në pozicionin në të cilin jam tani, dhe që kam shumë për të mësuar, shumë për të përmirësuar dhe më e mira nuk ka ardhur ende”, tha ai.
42-vjeçari nënvizoi se synonte të fitonte trofetë e mëdhenj, pa humbur pjesën tjetër të gjërave që kanë ndërtuar. Arsenali do të përballet kundër Njukasëllit në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës dhe renditet i treti në tabelën e Ligës së Kampioneve pas gjashtë ndeshjeve. Spanjolli, i cili pranoi gjithashtu se aktualisht është e pamundur të imagjinohej që ai të menaxhonte një klub tjetër në Premier Ligë, u pyet se çfarë kishte ndryshuar gjatë pesë viteve të tij në krye.
“Nga këndvështrimi im, bashkimi, lidhja dhe fakti që ne po konkurrojmë në fronte të mëdha tani”, tha ai. “Ne nuk kemi arritur ta bëjmë këtë në vitet e fundit. Kjo është pozitive, por ka ende shumë për të bërë. Duke parë prapa, këto pesë vite kanë ikur kaq shpejt. Unë shijova çdo minutë, kur kishte gunga në rrugë dhe kur kishim momente të mira. Dhe kaq. Unë jam këtu sepse jam shumë i apasionuar pas asaj që bëj dhe e dua këtë klub futbolli dhe dua më të mirën nga kjo. Kështu që thjesht përpiqem të jap versionin tim më të mirë çdo ditë. Ne kemi ndërtuar diçka së bashku dhe kaq shumë njerëz kanë kontribuar shumë për ta arritur këtë dhe faktin që të gjithë janë të uritur dhe ambiciozë. Por tani duhet të shkojmë në një nivel tjetër”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"