PESHËNGRITJE/ Partizani triumfon për femra, Tirana te meshkujt. Shkëlqejnë Enkileda Carja dhe Briken Calja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2023 | 20:18

PESHËNGRITJE/ Partizani triumfon për femra, Tirana te meshkujt. Shkëlqejnë Enkileda Carja dhe Briken Calja

Në ambientet e palestrës në Pakun Olimpik në Tiranë, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka organizuar dje Kupën e Shqipërisë për të rritur. Në këtë aktivitet konkurruan 50 shtangistë nga 13 ekipe, 17 femra dhe 33 meshkuj, të cilët matën forcat në eventin e dytë më të rëndësishëm kombëtar, pas kampionatit.

15296265821345171309

Si zakonisht, garat u hapën me konkurrimin e femrave, aty nuk u shënua asnjë surprizë, teksa sportistja më e mirë e aktivitetit u shpall Enkileda Carja, e cila tashmë garon për ngjyrat e Tiranës. Sportistja e 15-vjeçare elbasanase, pas sukseseve të shënuara javët e fundit në evenimentet ndërkombëtare të moshave, tashmë shkëlqen në garën e të rriturave në Shqipëri. Carja, e cila garoi në kategorinë e peshave 64 kg, regjistroi 84 kilogramë në stilin e shkëputjes, ndërsa në shtytje shënoi rezultatin 101 kilogramë.

Ndërkohë në rang ekipor në radhët e femrave, fitues i Kupës së Shqipërisë 2023 u shpall Partizani. Të kuqet, nën drejtimin e trajnerit Ervis Tabaku, vijojnë kështu rezultatet pozitive, duke kurorëzuar punën e mirë që bëjnë çdo ditë në stërvitje. Më pas ishte radha e konkurrimit të meshkujve, ku spikati i zakonshmi Briken Calja. Shtangisti që mban edhe rezultatet më të larta ndërkombëtare në historinë e Shqipërisë, u shpall më i miri i aktivitetit. Calja, i cili është sportist i Tiranës, tregoi një formë shumë të mirë në kategorinë e peshave 73 kg, duke regjistruar 153 kg në stilin e shkëputjes dhe 185 kg në shtytje, për ta mbyllur dygarëshin me 338 kg.

Shtërmenasi i shton kështu palmaresit të tij trofeun e radhës, atë të kampionit në Kupën 2023. Për sa i përket klasifikimit ekipor për meshkuj, Tirana vijon dominimin disavjeçar në arenën kombëtare, duke u shpallur edhe fituese e Kupës së Shqipërisë. Theksojmë që ky aktivitet ishte edhe një garë testuese për të parë gjendjen e sportistëve në prag të Kampionatit Botëror 2023, event kualifikues për Lojërat Olimpike që do të mbahet në shtator në Arabinë Saudite. Shqipëria, si rrallë herë, aktualisht nuk ka asnjë peshëngritës brenda normës olimpike.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"