Pikante nga Valbona-Flamurtari/ Tropojanët dhurojnë duartrokitje, Trashi “xixa” me Agostinelin. Shkurtaj: Nuk e di se si e shënova golin
Rreth 200 tifozë tropojanë kanë sfiduar motin me temperatura të ulëta, duke ndjekur takimin e duke bërë tifo për skuadrën e tyre të Valbonës. Edhe pse kanë dalë pa pikë, tropojanët kanë duartrokitur skuadrën e tyre për atë lojë të bukur duke befasuar edhe Flamurtarin.
Mund të themi se janë tifozët më të kulturuar në Kategorinë e Parë, pasi kanë duartrokitur edhe ekipin kundërshtar të Flamurtarit për fitoren e vështirë që morën në Tropojë. Gjithsesi, nuk kanë munguar as batutat, që kanë adresuar ndaj trajnerit Agostineli: “Jeni mirë në Kategorinë e Parë, nuk jeni ekip për Superiore”.
– Të dy skuadrat janë drejtuar në pankinë nga zëvendëstrajnerë. Kështu Agostineli e ka ndjekur skuadrën së bashku me tifozët tropojanë, duke komanduar me anë të telefonit me Andi Ribaj. Ai është befasuar nga mikpritja e tifozëve tropojanë.
– Tri minuta para fundit të ndeshjes, Agostineli nxjerr Trashin duke e zëvendësuar me Shkurtajn. Por ky zëvendësim nuk është pritur mirë nga ana e Trashit që ka debatuar në distancë me trajnerin Agostineli.
– Goli i shënuar në kohën shtesë nga Vasil Shkurtaj, nuk mund të përshkruajmë festën e çmendur të të gjithë stafit dhe lojtarëve në fushë, thua sikur vlonjatët fituan titullin kampion. Festa ishte e arsyeshme, pasi ekipi u ngjit i dyti dhe u afrua me dy pikë me Vorën që kryeson e vetme pas 17 javësh. Gjithsesi, nuk kanë munguar as replikat pas ndeshjes, por më shumë në kuadrin e batutave thumbuese.
Sulmuesi
Shkurtaj: Nuk e di se si e shënova atë gol
Vasil Shkurtaj bëri heroin në ndeshjen kundër Valbonës. Ai u ka dhënë tri pikë “të arta” vlonjatëve në kohën shtesë, që mund të rezultojnë jetike në fund. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” Shkurtaj u shpreh: “Që kur u futa në lojë, qëllimi im ishte të shënoja, por as vetë nuk e di se si e kam shënuar atë gol. Krosimi i Kobian ishte perfekt dhe unë kam kërcyer me gjithë forcat e mia, duke e goditur bukur me kokë. Isha në rënie e ndoshta fati ishte me mua dhe ajo goditje t’i jepte fund ‘makthit’ të shumëpritur nga të gjithë lojtarët. U gëzuam shumë, sepse ishin tri pikë me vlera për objektivin tonë. Dua t’ia dedikoj gjithë tifozërisë vlonjate këtë fitore”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"