Pikante nga Vora-Besa/ Pretendime për penallti dhe thumbime. Vorakët: Kot keni ardhur! Mazrekaj: Më tregoni se kur keni fituar me zotësi
Vora ka ruajtur diferencën prej 8 pikësh ndaj Besës, pas barazimit 1-1 të arritur dje në shtëpi. Edhe pse pritej maksimumi, vorakët janë të kënaqur, sepse tashmë janë përsëri në të njëjtën diferencë. Besa luajti mjaft mirë në shtëpinë e kryesuesve, ku kaluan të parët në epërsi me anë të Ermir Spahiut, në minutën e 70-të.
Vetëm 11 minuta më vonë, Vora reagoi me golin e barazimit, të shënuar me kokë nga Dejan Shehu. Të dyja skuadrat këmbëngulnin te fitorja, por vorakët edhe me barazimin janë të kënaqur, por Flamurtari u është afruar me 2 pikë.
Ndeshja- Fillimisht skuadrat studiuan njëra-tjetrën dhe goditja e parë u regjistruat nga Mazrekja në të 14-tën, pas një këndore. Dy minuta më vonë, Hasaj kroson, por topi grushtohet nga Mehidri. Loja nis të nxehet. Në të 19-tën, Mazrekaj godet fort nga distanca, por portieri Ruçi grushton. Në të 35-tën, Mazrekaj jep një asist për Kanu, por fillimisht Dalipi e më pas portieri Ruçi nuk lejojnë golin. Në të 44-ën, dëmtohet rëndë Oliviera dhe lë fushën duke u larguar me barelë dhe në fushë hyn Greca. Pjesa e parë u mbyll 0-0. Në fraksionin e dytë, loja hapet dhe skuadrat shënojnë nga një gol. Në të 49-ën, Spahiu jep shkëndijën e parë drejt portës vorake, duke goditur nga 20 metra, por topi kalon mbi traversë. Në të 51-ën, Shehi gjuan nga 16 metra, por jashtë. Në minutën e 70-të vjen goli i Besës.
Mazrekaj fut një top në zonë dhe Spahiu që ndodhet fare pranë portës vetëm sa e shtyn drejt rrjetës. Vorakët nuk dekurajohen, por kërkojnë golin e barazimit që vjen pas 11 minutash. Hasaj kroson nga këndi dhe kërcimi mjaft elegant i qendërmbrojtësit vorak, Dejan Shehit, përfundon me golin e barazimit. Ekzaltohen 2000 tifozët e pranishëm. Vorakët ngjeshen në mbrojtje dhe kërkojnë ruajtjen e rezultatit, por përdorin dhe kundërsulmin. Kavajasit janë më këmbëngulës dhe kërkojnë golin e fitores, sidomos në shtesën prej 5 minutash, kur ka pasur dhe një pretendim për penallti. Dalipi, bën një ndërhyrje të gabuar ndaj Nonatos brenda zonës, por Hamiti nuk akordon një gjë të tillë e mes këtyre polemikave mbyllet takimi 1-1. Përpos distancës, ka edhe hapësira rikuperimi për Besën në vazhdim .
VORA – BESA 1-1
GOLAT: Shehi 81’ / Spahiu 70’
VORA: Ruçi, Ismaili, Shehi, Dalipi, Vrapi, Tabaku, Aneni, Bajramaj (Ntepe 75’), Hasaj (Imami 81’), Kasalla (Bardhi 66’), Ruzgis. (Në dispozicion: Jata, Marinaj, Lika, Skënderi, Duka, Hasrama, Rushiti). Trajner: Arian Bellai
BESA: Mehidri, Frashëri, Goxhaj, Abdulai, Nurja, Stafa (Nonato 85’), Mëllugja, Oliviera (Greca 44’), Mazrekaj, Spahiu (Kapo 87’), Kanu (Migone 60’).(Në dispozicion: Ahmetaj, Gjinaj, Dabo, Aleksandre, Ramilli, Gabriel). Trajner: Emiljano Çela
Kartonë të verdhë: Kasalla 30’, Vrapi 38’, Aneni 83’, Ruçi 90’/Frashëri 29’, Mëllugja 45’, Spahiu 70’, Mazrekaj 84’, trajneri Çela 90+4’
Gjyqtarë: E. Hamiti (Lezhë), E. Doda, A. Koçiaj(Tiranë)
Vëzhgues: Servet Bogdani (Durrës)
Delegat: Besnik Çela (Tiranë)
Pikantet
Pretendime për penallti dhe “thumba” mes palëve
Pretendime për penallti të pa dhënë dhe incidente të vogla në fundin e sfidës, që ishin të panevojshme për t’i humbur bukurinë këtij takimi që shkoi më se normal. Në minutën e 94-t, Nonato futet brenda zonës e aty Dalipi e pengon. Kavajasi pretendojnë për 11-metërsh, duke i treguar arbitrit të çarën në kofshën e djathtë. Ndërkohë, ka ndërhyrë siguria e stadiumit kur stafi kavajas shkon drejt arbitrit, por ndërhyrja e Policisë në fushë nuk lejoi asnjë lloj incidenti. Momenti mbetet i dyshimtë, aq më shumë që mungoi edhe përsëritja e rastit.
– Sapo mbërriti ekipi mik, disa prej futbollistëve vorakëve iu drejtuan lojtarëve kavajas: “Pse keni ardhur kot”.
– Mazrekaj u përgjigjet dy-tre futbollistëve vorakë: “Nuk jeni ekipi më i mirë. Më tregoni se kur keni fituar një ndeshje me zotësi”.
– Në fund replika e thumbime pati mes Goxhaj dhe Tragajt, ku drejtori i vorakëve iu drejtua: “Ju të kishit mundur ‘4 rrugët’, çfarë kërkoni nga ne”. Goxhaj përgjigjet: “Ke të drejtë Shijaku na dërmoi, është për t’u mbajtur mend se na hoqi një mundësi”.
Mbrojtësi
Shehi: Golin ia dedikoj gruas sime shtatzënë
Goli i Dajan Shehit evitoi humbjen e Vorës ndaj Besës, që sipas mbrojtësit në këtë rast vlen edhe barazimi. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, mbrojtësi Shehi deklaroi: ”Për ne ka rëndësi që ruajtëm distancën me Besën. U futëm në fushë vetëm për fitore, por edhe barazimi na favorizonte në këtë sfidë, pasi rivalët tanë, Flamurtari dhe Besa, i kemi prapa. Jemi shumë të kënaqur me këtë barazim. Synimi ynë i mëtejshëm është të shpallemi kampionë, sepse e kemi merituar nga fillimi deri tani. Do t’i marrim ndeshjet një e nga një për arritur shumë gjëra për një gjë. Dedikimi? Golin ia dedikoj gruas sime, pasi jemi në pritje të një fëmije”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"