PIKANTET/ Delir kuqezi, tifozët “show” në stadium dhe sheshin “Skënderbej”. Ja çfarë nuk u pa në TV (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 20:21

PIKANTET/ Delir kuqezi, tifozët “show” në stadium dhe sheshin “Skënderbej”. Ja çfarë nuk u pa në TV (E PLOTË)

Të gjithë drejt stadiumit. Edhe pse ndeshja ishte planifikuar të luhej në orën 20:45, u panë që shumë tifozë ishin nisur më herët dhe stadiumi u mbush më shpejt seç pritej. Një perimetër i largët sigurie nga Policia e Shtetit, aq sa nuk ishte në takimin me Poloninë që për më shumë njihet edhe për tifozët e saj problematikë. Gjithsesi kjo ishte zgjedhja e Policisë, që kishte vënë edhe qenë kufiri, të specializuar për gjetjen e sendeve të paligjshme, edhe pse tifozë rivalë ishin rreth 10 persona.

MixCollage-21-Nov-2023-08-24-AM-5318

“Panorama Sport” sjell të gjithë momentet pikante të sfidës Shqipëri-Ishujt Faroe, e cila përfundoi në barazim pa gola, por në fund kuqezinjtë e mbyllën të parët në grup dhe stadiumi shpërtheu në festë pas ndeshjes, ashtu edhe siç ishte programuar.

* Tifozët Kuq e Zi festojnë 20 vjetorin e themelimit si tifo-grup. Në momentin e fillimit të ndeshjes, ata shpalosën në sektorin e tyre një flamur të madh ku shkruhej: “O sa mirë me qënë shqiptar”. Të palodhur si gjithmonë, tifozët e Kombëtares nuk pushuan në asnjë minutë duke brohoritur për ngjyrat kuqezi.

* Një flamur gjigant u shpalos në tribunën karshi në momentin që lojtarët dolën në fushë. Gjatë himnit, ata u kthyen me fytyrë nga flamuri, për të kënduar andej dhe jo me shpinë.

* Të pranishëm në tribunën kryesore kishte personalitete nga çdo fushë, politika, arti dhe sporte të tjerë. Po ashtu shumë ish-futbollistë të ekipit kombëtar, por edhe nga Kategoria Superiore. Natyrisht edhe shumë familjarë të lojtarëve që ishin në fushë, apo të trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik.

* Bashkë ishin bërë Ardian Takaj, Ardian Bardhi dhe Edmond Hysenbelli, tri presidentët e klubeve si Skënderbeu, Dinamo dhe Teuta.

* Në fushë zbriti edhe Armando Sadiku, por jo i zhveshur pasi nuk ishte këtë herë në listën e Silvinjos. Sulmuesi që luan në Indi dhe është shënuesi i golit të vetëm në Europian për Shqipërinë, takoi lojtarët, stafin si edhe Dorivën pak më shumë.

MixCollage-20-Nov-2023-08-03-PM-3939

* Edhe pse Broja mungonte për Shqipërinë, në shkallët e stadiumit u panë tifozë që mbanin një shall blu me foton e sulmuesit.

* Në minutën e 20-të një lojtar i Ishujve Faroe bezdiset nga kanatjerja poshtë. E heq dhe vesh sërish bluzën e lojës.

* Silvinjo padyshim që iu ka vjedhur zemrat të gjithë shqiptarëve, duke bërë të mundur që Kombëtarja jonë të kualifikohet në Europian për herë të dytë në histori. Në tribuna është shfaqur edhe një flamur brazilian për nder të trajnerit të Shqipërisë.

22’ Mirlind Daku pas një aksioni në zonë, përplaset me portierin mik i cili pas disa minutash ulet në tokë. Si fillim i vjen në ndihmë stafi mjekësor, por në të 35-n ai lë fushën e lojës. Daku i afrohet dhe i kërkon ndjesë për atë ndërhyrje të paqëllimshme.

30’ Përplasje mes dy lojtarëve të Faroeve në mënyrë të ashpër. Panik, pasi loja ndërpritet menjëherë dhe mjekët hyjnë në fushë. Por, asgjë serioze dhe të dy vazhduan më tej.

* Pa mbaruar pjesa e parë, Mitaj kapet me trajnerin Erikson të Ishujve Faroe. Një rivënie anësore që i takonte Shqipërisë, sipas trajnerit mik duhet të ishte e kundërta. Mitaj kërkon topin, por Erikson nuk ia jep, aq sa detyron kryesorin që ta ndëshkojë me karton të verdhë.

* Silvinjo tërbohet me një rast të kundërshtarit, që u nënvlerësua nga mbrojtja kuqezi. Trajneri gati sa nuk shtrihet në tokë.

* Në pushim të takimit, në fushë zbriti Ansambli Kombëtar që performoi një valle karakteristike shqiptare.

HIMNI SHQIPERIA

* 60’ Debutim për Muçollin në urdhrat e Silvinjos. Anësori që luan në Suedi ka luajtur edhe më parë me Edi Rejën.

* Balliu kërkon një top me nximit për të ekzekutuar një rivënie anësore, por dy djaloshët që mbledhin topat ia hedhin njëkohësisht dhe detyrohet që ta grushtojë njërin prej tyre.

* Ashtu siç ishte paralajmëruar pas përfundimit të ndeshjes me Ishujt Faroe një feste e madhe, e cila prodhoi atë entuziazmin e pritur. Tifozët menjëherë pas përfundimit të sfidës, ndërkohë që dritat e stadiumit u fikën, ata ndezën celularët duke dhuruar një spektakël dhe një pamje fantastike. Menjëherë janë hedhur edhe fishekzjarre! Më pas ndodhi boshatisja graduale e stadiumit, për shkak edhe temperaturave të ulëta.

* I gjithë ekipi i Ishujve Faroe qëndron në fushë dhe i bashkohet festës kuqezi pas ndeshjes në “Air Albania”.

* Pjesë e festimeve të kuqezinjve ishte edhe ish-trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i cili nuk arriti që gjatë detyrës së tij të arrinte sukses për t’u mbajtur mend. Gjithsesi, trajneri italian ishte prezent në “Air Albania”, për të festuar suksesin e pasuesit të tij Silvinjo si dhe të Kombëtares shqiptare.

* Festimet e kualifikimit kanë qenë të shumta në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Kryeqyteti u pushtua nga ngjyrat kuqezi, teksa nuk munguan as fishekzjarrët. Në sheshin “Skënderbej” sportdashësit festuan me këngë e valle. Një numër i madh makinash veshur me flamur kuqezi pushtuan rrugët.

2

 

4

tifozet-ne-stadium-feste-kombetarja-2 (1)

uck

WhatsApp Image 2023-11-20 at 23.34.35

festa

fishekzjarre

aaaaaa-770x433

shqiperi-ishujt-faroe

 

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"