Pikantet e Egnatia–Partizani/ Hadroj kritika Saliut, Rrapaj “teston” nervat e Aleksit
“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes Egnatia-Partizani, e përfunduar me rezultatin e pastër 0-2 në favor të miqve.
Në stadium ishin afro 1 mijë të pranishëm, më pak seç pritej duke parë se në fushë ishin dy skuadra që vjet luftuan për titullin. Megjithatë, ishe ditë e premte, ora 16:00, jo i përshtatshëm për ata që ishin në punë. Tribuna e stadiumit nuk ishte e mbushur, teksa bileta më e lirë kushtonte 500 lekë të reja.
* Në stadium nuk mungonte as prania e fëmijëve të moshës afro 10 vjeç, të cilët përpiqen të mbështesin skuadrën vendëse me këngë e thirrje si ultras të vegjël.
* Dy presidentët e klubeve, Agim Demrozi dhe Gazment Demi, e shohin ndeshjen nga tribuna “VIP” pranë njëri-tjetrit, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre.
* Në minutën e gjashtë Saliu Sembene gabon një pasim në fundore dhe Hadroj i kërkon llogari. Senegalezi nuk kursehet dhe i kthehet shokut të ekipit me të njëjtën ashpërsi. Ky episod mbetet aty dhe loja vijon.
* Pas shënimit të golit, Ismaili shkon të takojë trajnerin Veselinoviç dhe merr përgëzimet e këtij të fundit.
* Për të dytën ndeshje radhazi Partizani detyrohet të bëjë zëvendësim të detyruar. Mehmeti, me probleme fizike prej një jave, nuk ia del të vazhdojë lojën dhe në vend të tij Veselinoviç aktivizon Gjelbrim Taipin në të 32-ën. Më pas del edhe Mba.
* Shpeshherë dy trajnerët kalojnë kuadratin e caktuar për qëndrimin e tyre. Trajneri i Partizanit duket me dinamik me lëvizjet e tij dhe udhëzimet ndaj skuadrës.
* Zeka dhe Alijev lëshojnë “xixa” në të 33-ën. Një ndërhyrje e saktë e mbrojtësit nxit ndërhyrjen e sulmuesit të kuq, që më pas ndëshkohet me karton të verdhë. Tensionin e shuajnë shokët dhe Hamiti.
* Në minutat e fundit të pjesës së parë Mba rrëzohet në tokë dhe ngjall reagimin e rrogozhinasve. Aleksi e nxjerr topin jashtë me forcë në mënyrë demonstrative dhe nuk kursehet me protesta, ndërsa Malota shkon të “demaskojë” sulmuesin e kuq te gjyqtari.
* Në minutat e fundit Rrapaj provon të luajë me nervat e Aleksit gjatë një goditjeje dënimi. Mesfushori i Egnatias reagon, por Hamiti ndërhyn shpejt dhe ndal menjëherë zënkën e kësaj dysheje.
* Pas golit të dytë të Bintsuka disa tifozë të rrogozhinasve marrin vendimin për tu larguar nga stadiumi, me idenë se në këtë moment fati i ndeshjes është shënjuar.
* Në të 72-ën Zeka shkakton një faull, në një moment kur e kishte një karton të verdhe. Malota nxiton të kërkojë llogari ndaj arbitrit për të ushtruar presion për të verdhin e dytë.
* Pas përfundimit të ndeshjes, Aleksi bën gjërat e tij të zakonshme, protestat ndaj arbitrit, teksa trajneri i Partizanit nuk përton t’i takojë të gjithë, përfshirë edhe lojtarët e Egnatias.
* Pas festës me tifozët dhe fotos së zakonshme, disa nga lojtarët e Partizanit qëndrojnë në fushë për vrapime pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"