Pikantet e Elbasani-Partizani/ Tension në fund, tifozët tërbohen dhe çajnë rrethimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2024 | 22:16

Pikantet e Elbasani-Partizani/ Tension në fund, tifozët tërbohen dhe çajnë rrethimin

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes Elbasani-Partizani, e karakterizuar nga shumë polemika dhe tension në fund. Në këtë përballje ishin të pranishëm afro 4 mijë tifozë, një shifër shumë e kënaqshme, krahasuar me sfidat e tjera, ku në një pjesë të të cilave dëgjoheshin edhe cicërimat e zogjve në disa momente.

Momenti kur tifozët e Elbasanit tentojnë të kalojnë stjuartët dhe të hyjnë në fushë

Momenti kur tifozët e Elbasanit tentojnë të kalojnë stjuartët dhe të hyjnë në fushë

* Shumë tifozë e lënë për në momentin e fundit blerjen e biletës, duke krijuar radhë të gjata në sportel. Për rrjedhojë, një pjesë e mirë e tyre i humbën minutat e para, pasi hynë me vonesë në stadium. Nuk munguan as grupimet ultras të të dyja skuadrave.

* Portieri i Elbasanit, Razak Abalora, e mbyll nxehjen shumë më herët sesa shokët e tij të skuadrës, duke shkuar në dhomat e zhveshjes për t’i vijuar përgatitjet aty, ndoshta nga ana mentale.

* Mbrojtja e Elbasanit ishte e përbërë nga ish-ët e kuq. Bëhet fjalë për Bruno Telushin, Emiljano Mustën dhe Esin Hakajn, të cilët më herët kanë veshur fanellën e Partizanit.

* Roberto Bordin tërbohet me arbitrin te goli i parë i Partizanit, pasi pretendoi për një faull në favor të të tijve në momentin që nis aksioni. Ai kërkoi shpjegime mjaft i irrituar te gjyqtari i katërt, Laver Alla.

* Delegati i tërheq vëmendjen drejtuesve të Elbasanit për fëmijët që kapin topat. Gjatë kohës që luhej ndeshja ata luanin, duke i kërkuar që t’i njoftojnë të mos bëjnë lojëra me top.

* Pas shënimit të golit të barazimit të Elbasanit nga Ze Gomesh, sulmuesi tjetër, Blaise Tsague, i bën me duar shokëve të skuadrës duke i dhënë zemër. * Stoli i kuq irritohet për një faull ndaj Carës dhe kërkojnë të verdhë ndaj Lulajt. Është Veselinoviç që ia bën me shenjë të qetësohen, duke mos kërkuar të acarojë situatën.

* Veselinoviç mesa duket është supersticioz, pasi pranë tij mbante bidonin e ujit, të cilën e vendoste gjithnjë të kthyer përmbys dhe jo në këmbë.

* Abalora përpiqet të argëtojë tifozët me mbajtjen e topit dhe driblimet e tij në zonë, por në minutën e 59-të i “bën me zemër”, sepse për pak gaboi në një pozicion fatal.

* Në fund të ndeshjes ka irritim nga tifozët e Elbasanit për golin e anuluar dhe pretendimin për penallti. Disa madje çajnë rrethimin dhe tentojnë të hyjnë në fushë, por që neutralizohen nga stjuartët në momentin e fundit. Ky episod sjell ndalimin e lojës për afro tri minuta, në një kohë që nuk munguan as ofendimet ndaj arbitrit. Edhe drejtori sportiv, Elton Guranjaku, lë pankinën dhe shkon pranë tribunës së tifozëve për t’i qetësuar. Në fund pjesa anësore e fushës shihet plot sende të hedhura. Ky episod pritet të shoqërohet me një dënim nga ana e Komisionit të Disiplinës.

* Lojtarët e Partizanit që nuk luajtën nisën të bëjnë pak stërvitje në përfundim të ndeshjes, por ndërhyn një nga përfaqësuesit e stadiumit. Ai u bën me shenjë që nuk mund të kryejnë më vrapime në brendësi, sepse sipas tij, është e rënduar.

* Familja dhe të afërmit e Bytyçit janë “ngujuar” para televizorit për të ndjekur djalin e shtëpisë së tyre. Në një video të publikuar nga vetë mbrojtësi pas ndeshjes, dhoma e ndenjës është mbushur me të afërm, që janë mbledhur për të ndjekur ndeshjen e Bytyçit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"