Pikantet e miqësores Partizani-Kukësi/ “Demat” i drejton ndihmësi, Rrapaj refuzon të lërë fushën pas kartonit të kuq
Partizani mbushi axhendën me një miqësore ditën e shtunë kundër Kukësit, sfidë e fituar nga skuadra e Veselinoviç me shifrat 2-0. “Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante që u vunë re në ndeshjen miqësore mes kryesuesve të Kategorisë Superiore dhe ekipit të Kategorisë së Parë.* Në ndeshjen e së shtunës ishin afro 150 të pranishëm, mes tyre edhe fëmijë, që përpiqeshin të mbështesnin me sa mundeshin skuadrat.
* Partizani nuk u drejtua nga Veselinoviç në këtë miqësore. Serbi u pozicionua në plan të dytë dhe i la timonin e ekipit ndihmësit të tij, Goran Lazareviç. Ky i fundit qëndroi gjithë kohës në këmbë, duke u dhënë udhëzime lojtarëve.
* David Domgjoni debutoi dje me fanellën e Partizanit. 27-vjeçari e nisi ndeshjen si titullar dhe luajti pjesën më të madhe të saj. Minutat e para erdhën edhe për të riun Tedi Malaj, prej një viti te të kuqtë, por së fundmi i është bashkuar ekipit të parë.
* Nuk mungonin as ish-ët në këtë ndeshje. Në radhët e Partizanit përmendim Bytyçi dhe Taipi, që në të shkuarën kanë veshur fanellën e Kukësit. Në anën tjetër luanin emra si Lala, Selita apo Birçaj, që më parë kanë kontribuar për ekipin e parë të Partizanit.
* Ishte thjesht ndeshje miqësore, por nuk mungoi kartoni i kuq. Gjyqtari Dyrmishi ndëshkoi Arinaldo Rrapajn në të 84-ën. Shkaku nuk ishte i qartë, por përjashtimi ndodhi pasi vlonjati shkaktoi një faull dhe bëri një gjest proteste, që me shumë mundësi u shoqërua edhe me fjalë. Pas të kuqit Rrapaj shtanget dhe për një moment refuzon të dalë nga loja, teksa Mba i afrohet dhe e shoqëron jashtë. Në tribunë ndaj gjyqtarit dëgjohet thirrja: “A je në terezi mo”.
* Pas daljes së Rrapajt stafi i Partizanit detyrohet të kthejë në fushë Koten dhe nxjerr nga loja Mehmetin, vetëm pas pak minutash pasi kishte zbarkuar në fushë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"