Pikantet e Partizani-Apolonia/ “O palaço, je edhe kapiten”, fjalët e Kokëdhimës nga tribuna ndezin debat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2024 | 21:00

Pikantet e Partizani-Apolonia/ “O palaço, je edhe kapiten”, fjalët e Kokëdhimës nga tribuna ndezin debat

“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të miqësores Partizani-Apolonia, e luajtur në “Arenën e Demave” dhe e përfunduar me shifrat 2-1 në favor të ekipit të drejtuar nga Arbër Abilaliaj

partizani apolonia

* Partizani zbret në dhomat e zhveshjes afro 10 minuta para startit të ndeshjes. Ndryshe ndodh me Apoloninë, të cilën Mërgjyshi e mban në nxehje gjatë, derisa arbitri sinjalizon të futen në dhomat e zhveshjes.

* Ndryshe nga Partizani, tek Apolonia kishin ardhur të papërgatitur sa u përket fanellave. I vetmi që kishte numër pas shpine ishte portieri. Mbante numrin 96. Pjesa tjetër ishin me fanella pa numra dhe jo të përshtatshme për një ndeshje serioze futbolli. Ky detaj e bënte të pamundur identifikimin e lojtarëve.

* Një numër prej afro 50 tifozësh ishin të pranishëm në stadiumin “Arena e Demave”. Të gjithë ishin të vendosur në tribunën kryesore.

* Ajo që ra më së shumti në sy ishte përbërja e 11-shes së Partizanit, që e nisi me 4 sulmues ndeshjen: Zeka, Piloto, Cara dhe Mba.

* “Penallti, ishte penallti”, ironizojnë disa nga tifozët për një faull ndaj Mba nga jashtë zonës.

* “O Rodrigo shtyj, shtyj”, dëgjohet Zguro, që kërkon të karikojë shokun e tij të skuadrës, Piloto.

* Henri Zuna mban për herë të parë në karrierë shiritin e kapitenit të Partizanit. Pjesën e dytë të kuqtë bënë rrotacion dhe shiriti i mbeti mbrojtësit të djathtë, i rritur në akademinë e kuqe.

* Në pjesën e dytë në portën e Partizanit u vendos Skander Tahri, portieri i tretë i ekipit. Alban Hoxha nuk ishte i pranishëm me ekipin në stolin e rezervave, por e ndoqi ndeshjen nga bari i klubit.

* “O palaço, je dhe kapiten, si ndërhyn ashtu”, dëgjohet presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, t’i drejtohet Zunës pas një ndërhyrjeje ndaj një prej lojtarëve fierakë. Ndërhyn një prej tifozëve të kuq, që i drejtohet: “O shefi, ça është kjo palaço. Ai është fëmijë dhe ti i drejtohesh në këtë mënyrë”. Tifozi nuk gjen përgjigje dhe situata nuk vijon më tej.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"