Pikantet e Partizani-Bylis/ Turistët “thajnë” fuçinë e birrës, mesfushori i kuq ironik me arbitrin debutues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2024 | 13:15

Pikantet e Partizani-Bylis/ Turistët “thajnë” fuçinë e birrës, mesfushori i kuq ironik me arbitrin debutues

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të sfidës Partizani-Bylis, e luajtur të shtunën dhe e fituar nga të kuqtë me gol të Prekës.WhatsApp Image 2024-10-07 at 13.27.53Interes i ulët në tribuna, me ndeshjet e Superiores, që kanë shndërruar edhe në një atraksion turistik tashmë. Për tu shënuar fakti se edhe pse fituan kundër Bylisit, tifozët nuk u larguan të kënaqur nga stadiumi dhe kishin kritika për rastet e humbura dhe faktin që skuadra nuk e mbylli ndeshjen më parë.

* Pavarësisht se orar i përshtatshëm dhe ditë e shtunë, tifozët e kuq duket se kanë pasur të tjera ide për të kaluar mbrëmjen e së shtunës, pasi në stadium nuk ishin më shumë sesa 700 të pranishëm, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, turistë. Për tu shënuar është një shtim i ndjeshëm i numrit të vajzave dhe grave që vijnë për të ndjekur Partizanin në stadium në tribunën kryesore.

* Gjyqtarja më e njohur në vendin tonë, Emanuela Rusta, shfaqet të ndjekë ndeshjen në sektorin “VIP”, këtë herë si tifoze, e shoqëruar nga të afërm të saj.

* Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, para ndeshjes qëndron anës fushës dhe shihet të konsumojë një bisedë me delegatin e ndeshjes, Marjus Sulejmani.

* Ndryshe nga tifozët shqiptarë, të huajt e pranishëm në stadium duket të jenë të prirur ta ndjekin sfidën duke shijuar birra, aq sa kapin disi të papërgatitur barin e stadiumit, pasi një kamerier i vetëm duhet të përballojë gjithë fluksin e kërkesave për birra. Pas disa gotave, ata nisin të brohorasin për Partizanin. Pjesa më e madhe e turistëve ishin gjermanë dhe anglezë.

* I dënuari Vangjel Zguro e ndjek ndeshjen në tribunën “VIP”. Mbetet të shihet ende se kur do të përfundojë dënimi për pogradecarin. Përveç tij, në tribunë ishte edhe afrimi i fundit, David Domgjoni, dhe i dëmtuari Paulo Buxhelaj.

* Herë pas here gjatë ndeshjes Qirko del deri në gjysmën e fushës. Disa fëmijë e thërrasin gjithë kohës dhe në një moment me lojë të ndalur ai i përshëndet me dorë, çka i bën fëmijët të festojnë.

* Partizani fiton një goditje dënimi në startin e së dytës. E merr përsipër Rrapaj, të cilin e korrigjon gjyqtari dy herë që ta vendosë topin më pranë vijës anësore, aty ku ka ndodhur faulli. “Ku të shkoj, a ta gjuaj në tribunë”, ishte përgjigja e mesfushorit ndaj arbitrit Grimci.

* Marçelino Preka gjen golin e avantazhit për Partizanin, por zgjedh të mos festojë për shkak të viteve të kaluara si lojtar dhe kapiten i Bylisit. Nuk mungon përqafimi me stolin dhe stafin.

* Partizani udhëheq në minutat e fundit dhe kërkon të ruajë avantazhin me çdo kusht. Para një rivënieje fundore trajneri Veselinoviç shihet t’i bëjë me shenjë Qirkos që ta marrë me qetësi ekzekutimin, për të fituar sa më shumë sekonda.

* Lojtarët e stolit dhe të aktivizuarit gjatë lojës bëjnë vrapime intensive pas ndeshjes, me urdhër të stafit teknik.

* Gjatë momentit të intervistave pas ndeshjes, trajneri Veselinoviç përgëzon Prekën pas ndeshjes dhe nuk i kursen batutat me të, çka bën të kuptohet marrëdhënia dhe komunikimi i hapur që trajneri ka me lojtarët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"