Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Balaj “xixa” me tifozin, fanellë speciale për Tedin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2024 | 20:17

Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Balaj “xixa” me tifozin, fanellë speciale për Tedin (E PLOTË)

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes PartizaniVllaznia, e luajtur dje në stadiumin “Arena e Demave” në Tiranë. tttt

* Një vit më parë, Partizani fitonte 4-1 kundër Vllaznisë. Ajo ndeshje përkon dhe me fitoren e fundit të “demave” në përballjet direkte. Gjashtë lojtarë nga ajo ndeshje për Partizanin janë sërish titullarë (Qirko, Bintsuka, Cara, Preka, Rrapaj, Taipi), ndërkohë katër nga Vllaznia (Balaj, Delaj, Sala dhe Krymi).

* Partizani i ka dhënë rëndësi kësaj ndeshje nga ana organizative. Fëmijë nga akademia valëvisin flamurin e madh në mesin e fushës. Kujtojmë se diçka e tillë tek “Arena e Demave” nuk ndodhte që nga ndeshja hapëse e kampionatit me Vllazninë.

* Bytyçi, Mehmeti, Shanaj dhe Osmanllari i lënë fanellat e tyre gati në stol. Duket se kanë zgjedhur stolin “e preferuar” të tyrin, ndërsa Bytyçi qëndron i ndarë nga tre të tjerët. Mehmeti dhe Osmanllari nuk marrin minuta, ndryshe nga Bytyçi dhe Shanaj.

* Shiu nis në minutën e shtatë, për të mos u ndalur më.

* 200 ndeshje për Tedi Carën. Kapiteni i Partizanit nderohet para ndeshjes nga klubi, që i ka kushtuar dhe fanellë speciale. Në këtë ceremoni të shkurtër mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama.

* “Vllaznit” paraqiten në stadium, ndërsa kronometrohet minuta e 15-të. Mesa duket trafiku i Tiranës ka ndikuar në këtë vonesë. Me fillimin e pjesës së dytë shpalosin dhe koreografinë e menduar. Dje ata kanë festuar përvjetorin e tyre të 19-të, ndërsa gjatë ndeshjes krijuan atmosferë me flakadanë dhe tymuese. Ata njihen edhe si grupimi “ultras” më i vjetër në vend.

* Në minutën e 10-të të pjesës së parë, Bekim Balaj nuk i pret mirë komentet e një tifozi të Partizanit. Sulmuesi i Vllaznisë fiksohet pikërisht te tifozi në fjalë duke shkaktuar dhe irritimin e pjesës tjetër që është e pranishme në shkallët e stadiumit. Pa filluar pjesa e dytë, Balaj afrohet pikërisht atje për t’u sqaruar me tifozin. Lojtarë të tjerë nga Vllaznia bëhen pjesë, ndërsa kjo po ashtu nuk pritet mirë nga një pjesë e tifozëve. Gjithçka me Balajn ka lindur një vit më parë te “Arena e Demave”.

* Në minutën e 20-të, i gjithë stoli i Vllaznisë ngrihet në këmbë për një ndërhyrje që e pretendojnë faull të pa dhënë. Pas ndalesës së lojës, kryesori Çelaj i jep karton të verdhë Ideal Lekiqit nga stafi i shkodranëve. Ky i fundit kujtohet nga sfida në të njëjtin stadium për përplasjen që pati dhe me Zguron, ndërsa ish-mbrojtësi i Partizanit u ndëshkua me karton të kuq.

* Arinaldo Rrapaj dhuron fanellën pas ndeshjes, që është e fundit sepse largohet nga Partizani. Fanella e tij rezulton dhe e golit që vulosi fitoren për të kuqtë kundër Vllaznisë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"