Pikantet e Skënderbeu-Partizani/ Tifozët shfryjnë ndaj Kalarit, Rama rishfaqet pranë ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2024 | 18:46

Pikantet e Skënderbeu-Partizani/ Tifozët shfryjnë ndaj Kalarit, Rama rishfaqet pranë ekipit

“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes Skënderbeu-Partizani, e luajtur në Korçë dhe e fituar me shifrat 0-2 nga “Demat”. Këtë ndeshje e ndoqën në stadium afro 2 mijë të pranishëm, një shifër që edhe Partizani e ka të vështirë ta arrijë në stadiumin “Arena e Demave”.RAMA* Pas shumë kohesh mungesë rikthehet tifozeria e organizuar korçare në shkallët e stadiumit “Skënderbeu”. Sektori i zi, i quajtur grupimi më i ri i korçarëve, kanë krijuar një atmosferë të mirë në shkallët e stadiumit duke mbajtur të karikuar ekipin gjatë gjithë ndeshjes, pavarësisht se rezultati nuk i shkoi përshtat korçarëve. Nga ana tjetër, më të paktë në numër se zakonisht, “Ultras Guerrils” kanë qenë sërish në Korçë për të mbështetur ekipin e tyre në këtë takim.

* Me shumë mungesa të dy ekipet janë munduar të japin më të mirën në fushë, teksa korçarët kanë pasur vështirësi sa i përket lojtarëve që do të hidhnin në fushë. Kjo duket edhe nga fakti se një pjesë e mirë e tyre debutonin për herë të parë me fanellën e Skënderbeut apo luanin pas një kohe të gjatë mungese.

* Për të disatën ndeshje radhazi korçarët kanë pasur ankesa në lidhje me vendimet e arbitrave. Edhe ndaj Partizanit protestat për faulle të paakorduara si dhe për vendime të gabuara të anësorit kanë nxjerrë nga pankina thuajse disa herë gjithë stolin korçar. Për protesta të zgjatura u ndëshkua me kartonin e verdhë edhe Bismark, i cili në këtë takim ishte lënë në stol për shkak të problemeve fizike. Me këtë karton të verdhë, Bismark plotëson numrin katër dhe mungon në ndeshjen e radhës Vllaznisë, ku gjen kohë për të zeruar kartonët dhe rikuperuar dëmtimin.

* Tension ka pasur në tribunën A të stadiumit për një protestë të zgjatur të Kalarit për ndalimin e lojës pas dëmtimit të Kekos në zonën korçare. Kjo ka sjellë reagim të tifozëve, që kanë shpërthyer në ofendime ndaj Kalarit duke hedhur edhe sende drejt pankinës së kuqe.

* I qetë ka qenë Veselinoviç gjatë gjithë ndeshjes në pankinë. Goli i shpejtë i dha qetësi atij dhe ka dhënë vazhdimisht këshilla për të tijtë për menaxhim të lojës dhe ulje të ritmit.

* Në fund të takimit korçarët kanë protestuar për katër minutat shtesë, që sipas tyre duhet të ishin më shumë. Dy trajnerët e Skënderbeut kanë kërkuar llogari tek arbitri i katërt për kohën e ndalesës së lojës që duhet të përkthehej në më shumë minuta shtesë.

* Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, dhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, janë parë pranë njëri-tjetrit para dhe gjatë pushimit të ndeshjes. Përveç kësaj, Rama u pa të bisedonte me drejtorin sportiv, Arbër Abilaliaj. Ky i fundit nuk ndodhej në pankinë, siç kemi parë zakonisht, por e ndoqi ndeshjen nga tribuna. Për tu theksuar fakti se shfaqjet e Ramës pranë ekipit kanë qenë gjithnjë e më të rralla në muajt e fundit.

* Për herë të parë nga minuta e parë në një ndeshje zyrtare Marçelino Preka mban shiritin e kapitenit të Partizanit për shkak se mungonin lojtarë si Cara, Hadroj apo Rrapaj. Me futjen në fushë të kavajasit, shiriti i kaloi atij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"