Pikantet e Tirana-Torpedo/ Tifozët “falin” skuadrën, ka batuta edhe për Partizanin (E PLOTË)
Ndeshja mes Tiranës dhe Torpedos pati disa momente të veçanta gjatë saj, në fushë dhe në shkallët e stadiumit. “Panorama Sport” sjell disa prej episodeve më interesante.
*Dy orë para ndeshjes në Elbasan nisi një shi i rrëmbyeshëm, duke sjellë paksa edhe rëndimin e fushës. Për këtë arsye nuk munguan ankesat e ekipit mik. Mirëpo, kur startoi sfida gjithçka ishte në kushte optimale.
*Shpesh tifozët shqiptarë preferojnë të shkojnë në zonën ku nuk korrespondon bileta e prerë. Stjuartët detyrohen t’i largojnë disa prej tyre, pasi ishin ulur në zonën “VIP”, në një kohë që bileta e tyre ishte në një sektor tjetër.
*Në stadium kishte afro 3 mijë tifozë të pranishëm, ku nuk munguan “Tirona Fanatics”. Ra në sy edhe prezenca e një numri të vogël të tifozëve të Torpedos.
*Bledi Shkëmbi përpiqet t’u japë zemër të tijve pas golit të shpejtë të pësuar, kur ata u kapën në befasi që në startin e ndeshjes.
*Selmani i kërkon llogari asistentit në një moment kur nuk ai akordon pozicion jashtë loje për miqtë. Nga porta ia bënte me shenjë për këtë pretendim.
*Temperaturat e larta detyruan arbitrin që në mesin e dy pjesëve të ndalte lojën për t’u dhënë mundësinë futbollistëve të freskoheshin.
*Nuk mbeti pa u komentuar edhe Partizani në këtë ndeshje nga tifozët bardheblu. Dy miq bëjnë batuta me njëritjetrin.
“E bëri Partizani”, tha njëri. “Epo tani të festojnë ata”, ia kthen tjetri. Moment që u kalua me të qeshura.
*Duke parë atë që ndodhi një mbrëmje më parë, ku asistentët panë të çara në të dyja rrjetat, kësaj here ishin punëtorët e stadiumit që bënë të parët kontrollin. Një mënyrë kjo për të evituar ndonjë problem tjetër, kur të bëhej kontrolli rutinë nga asistentët.
*Në minutën e 53-të tifozët e Tiranës hedhin flakadanë në fushë, duke detyruar kryesorin që për një minutë të ndalë lojën, deri në fikjen e tyre. Pas këtij momenti “Tirona Fanatics” heqin fanellat.
*Duke parë vonesat e shumta nga lojtarët miq, Agim Ibrahimi ankohet te gjyqtari i 4-t, i cili i tregon orën, duke nënkuptuar se çdo vonesë po mbahej shënim për t’u shtuar në fund.
*Mici gjen një moment pauze dhe i shpjegon një dyluftim Johnsenit, duke bërë me shenjë bërrylat. Me shumë gjasa bëhej fjalë për një moment gjatë lojës mes të dyve.
*Në minutat e fundit edhe tifozët gjeorgjianë kopjojnë ata bardheblu duke hequr fanellat. Megjithatë, në përfundim të saj ata i riveshën.
*Në fund të ndeshjes lojtarët e Tiranës shkojnë kokulur te tifozët dhe qëndrojnë për afro dy minuta. Në fund, falja pranohet dhe lojtarët largohen mes duartrokitjeve të tifozëve, pavarësisht zhgënjimit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"