Pikantet e Vllaznia-Dinamo/ Balaj u hakërrehet të tijve, Zabërgjën e bëjnë “Del Piero”
Ndeshja e luajtur dje në Shkodër pati disa momente të veçanta, që “Panorama Sport” i sjell për lexuesin e saj.
-Ka një numër të paktë tifozësh në “Loro Boriçi”. Temperaturat e ulëta duket se kanë ndikuar te spektatorët shkodranë.
-Ildi Gruda e ndjek ndeshjen nga tribuna e gazetarëve. Sulmuesi nuk ka qenë pjesë e skuadrës, për shkak të një shqetësimi fizik.
-E nis mirë Vllaznia në 5 minutat e para dhe tifozët inkurajojnë me batuta: “Jepini se janë fjet”.
– “Shpërthen” stoli i Vllaznisë, që kërkon karton të kuq për Guidiabin, kur ai ndërhyn ashpër ndaj Malës. Drejtori Osmani këmbëngul te gjyqtari Alla për ngjyrën e kartonit, që në fund është i verdhë.
-Brdariç, i pakënaqur me arbitrimin. Prenga në një moment nuk akordon faull për Malën dhe gjermani i drejtohet me gjestin e syve gjyqtarit të katërt Alla, për t’i thënë se po e shikon lojën apo jo kryesori.
-Daja i drejtohet Alijit me fjalët: “Thuaji Gudiabit ta luajë shpejt”, duke iu referuar një rasti, ku mesfushori humbi një top, ndërkohë që kishte disa pika pasimi.
-Zabërgja shënon në mënyrë të shkëlqyer. Rrjetë që vlerësohet nga të pranishmit, të cilët theksojnë fjalët: “Gol ‘alla Del Piero’”.
-Brdariç kërkon më shumë ritëm nga mesfushorët, i drejtohet Qatos dhe Kahrimanoviçit të pasojnë më shpejt në drejtim të sulmit.
-Balaj u “hakërrehet” të tijve. Kapiteni u kërkon të hedhin topa drejt sulmit dhe të synojnë para drejt portës kundërshtare.
-Dinamo del me vonesë nga dhomat e zhveshjes në nisjen e pjesës së dytë. Me sa duket udhëzimet e trajnerit Daja kanë qenë më të zgjatura se zakonisht.
-Ka vërshëllima për lojën e dobët të Vllaznisë nga tifozët kuqeblu. Mbështetësit shkodranë janë të pakënaqur me skuadrën, që thuajse asnjëherë s’ka rrezikuar seriozisht portën e Salit.
-Publiku shkodran, si gjithmonë i veçantë, duartroket Gudiabin për performancën, në momentin kur ky i fundit lë fushën për Qefalijan.
-Daja qëndron afër në një moment me gjyqtarin e katërt Alla, me të cilin shkëmben disa batuta dhe të dy shihen të buzëqeshur.
-Vllaznia luan mbi 3 minuta me 10 lojtarë, kur Bajrami doli nga fusha i dëmtuar për t’u zëvendësuar nga Pusi, i cili pret “gjatë”, pasi topi nuk del nga fusha.
-Pas pësimit të dy golave të shpejtë, Daja i drejtohet skuadrës: “O çuna, s’ka rënë ende bilbili, po përqendrohuni”.
-4 minutat shtesë nga Alla i lënë të pakënaqur të gjithë te Vllaznia. Kuqeblutë kërkonin më shumë lojë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"