Pikantet e Vllaznia-Erzeni/ Gjakoset Bekim Balaj, vazhdon tersi me portierët
Një ndryshim nata me ditën ajo e tifozëve të pranishëm nga “klasikja” me Tiranën, te ndeshja e djeshme në Kupën e Shqipërisë kundër Erzenit. Besnikë gjithmonë tifo-grupi “Vllaznit Ultras”, që kanë mbështetur ekipin edhe në një kohë me shiun që nuk u ndal asnjë moment. Ja momentet më pikante nga “Panorama Sport” të ndeshjes në “Loro Boriçi”.
* Tifozët kuqeblu e kanë me trajnerin e Erzenit Deliallisi, në një moment që ai po protestonte ndaj arbitrit të takimit.
* Interesant momenti kur gjyqtari i takimit thirret në kufje nga salla e VAR-it, për të ndryshuar ngjyrën e kartonit të Atandës, nga i verdhë në të kuq.
* Stafi i Erzenit debaton ashpër me delegatin dhe vëzhguesin, ndërsa një tifoz shijakas në tribunën qendrore, përveç ofendimeve të vazhdueshme ndaj gjyqtarëve, hedh edhe një shishe ujë poshtë në fushë.
* Portieri i Erzenit në momentin që filluan reshjet e shiut, afrohet pranë vijës anësore dhe ndërron dorezat.
* Bekim Balaj gjakoset në zhvillimet e një goditjeje këndi dhe mbetet i shtrirë në fushë. Poteston stafi i Vllaznisë, kjo pasi kërkohet ndalimi i lojës që kapiteni të marrë ndihmën mjekësore. Balaj e vazhdon ndeshjen i fashuar.
* Disa xhonglime me topin për trajnerin Alfred Deliallisi.
* Ters me portierët te Vllaznia. Pasi Kristi Qarri vijon të jetë i dëmtuar, në ndeshjen e djeshme nuk mund të vazhdonte dot as Jurgen Mehidri. Kështu Aron Jukaj, portieri 18- vjeçar dhe i treti në radhë te Vllaznia, bën debutimin e tij me ekipin e parë në Kupën e Shqipërisë.
* Në pushimin e shkurtrës mes përfundimit të kohës së rregullt dhe nisjes së shtesave, në stolin e Vllaznisë u shpërndanë banane për lojtarët, që ata të merrnin pak energji.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"