Pikantet/ Fierakët të cunguar në Tiranë, Partizani luan me… të zeza. Dy debutime te “demat” (E PLOTË)
“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes së Kupës së Shqipërisë mes Partizanit dhe Apolonisë, e zhvilluar dje në stadiumin “Arena e Demave”.
* Për të dytin edicion radhazi, Partizani eliminon Apoloninë nga Kupa e Shqipërisë në turin e tretë. Fitoren me rezultatin 2-0 e vendosën golat e Kekos, që për herë parë shënon dopietë te “demat”.
* Partizani zgjedh të luajë me fanellën e tretë, atë të zezë edhe pse është klubi pritës në stadiumin “Arena e Demave”. Kjo zgjedhje rezulton fatsjellëse, pasi merr fitoren e parë të vitit 2025.
* Në pjesën e parë dalin në nxehje vetëm lojtarë të Partizanit. Fierakët janë disi të cunguar në stol. Ndërsa po kryejnë bashkë dy zëvendësimet e para, stoli për një moment duket bosh.
* “E fjetur”. Ky është epiteti që i shkon pjesës së parë ku portierët nuk testohen. Mungesa e atmosferës në stadium e bën po ashtu një ndeshje “të fjetur”.
* Keko shënon dy herë në harkun kohor të 16 minutave të pjesës së dytë. Festa për golin e dytë, që sjell njëfarë qetësie, është edhe më e madhe. Keko vendos të përshëndetet dhe me një pjesëtar të stafit që kujdeset për bazën materiale.
* Edhe pse të kuqtë janë në avantazhin e dy golave, Veselinoviç shfaqet nervoz me skuadrën në dy momente. Fillimisht me Qirkon, që vendos të largojë topin e pasuar në zonë. “Me qetësi”, i drejtohet trajneri serb portierit, nga i cili kërkon të mos nxitohet. Më pas radhën e ka Ismaili, nga i cili zhgënjehet për një pasim prapa te Qirko, kur topin e zotëronte në mesfushë.
* Dëmtim i rëndë për Qirkon, i cili përplaset në zonë me sulmuesin e Apolonisë. Të dy lojtarët kanë nevojë për ndihmën e stafit mjekësor dhe shokët e skuadrës mblidhen afër tyre. Qirko nuk mund ta vazhdojë lojën dhe largohet me barelë nën shoqërimin e duartrokitjeve. Portieri i Partizanit transportohet në spital.
* Vendin e tij e merr Alban Hoxha, për të dytën ndeshje këtë sezon, ku Qirko dëmtohet. Hoxha merr po ashtu duartrokitje nga publiku i pranishëm. Shiriti i kapitenit kalon nga Preka te cërrikasi.
* Atmosferë e ngrohtë te “demat” në të ftohtin e janarit, pas kualifikimit në çerekfinale. Bytyçi nuk zbret te dhomat e zhveshjes, pasi disa tifozë e presin në tribunën “VIP”. Në fund dhuron fanellën, që mbajti si titullar pas gjashtë ndeshjesh.
* Te Partizani debutuan në ndeshje zyrtare si zëvendësues sulmuesi sirian Mando dhe mesfushori Jata. Të dy këta, pjesë e Partizanit B.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"