PIKANTET/ “Na le këtu o arbitër”, Olsi Rama studion nga afër rivalët! Një mace e zezë në tribunë, Dinamo gjen “tersin” kundër Bylisit (E PLOTË)
Ndeshja e luajtur në stadiumin “El basan Arena” pati disa momente pikante gjatë saj, që “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj. Pati batuta me arbitrat Alla dhe Maletaj nga tifozët e paktë të pranishëm, ndërsa një mace e zezë në tribunë u identifikua nga dikush si “tersi” i Dinamos.– Interesi në shkallët e stadiumit ishte më i vakët se asnjëherë më parë. Numri i të pranishmëve nuk shkonte më shumë se 100, ku veçohet edhe një prezencë e tifozëve nga Ballshi.
– Një mace e zezë kishte hyrë në tribunën qendrore pak para nisjes së sfidës. Një prej personave të paktë në stadium ia beh: “Shenjë e keqe kjo, ndoshta humb Dinamo sot”.
– Arbitri Laver Alla nuk e nis ndeshjen me topin e parë, sepse mesa duket ishte i shfryrë. Kërkon menjëherë një top tjetër.
– Në stadium për të parë ndeshjen ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama. Ai ka preferuar t’i ndjekë nga afër rivalët e skuadrës së tij. Të pranishëm ishin edhe presidentët Bardhi e Kapllanaj.
– Gjatë një këndoreje për Bylisin, arbitri i 4-t ishte përpara Ilir Dajës. Në këtë moment një tifoz i vjen në “ndihmë” teknikut blu, duke i kërkuar Maletajt të largohej, pasi i pengonte pamjen. “O arbitri i katërt, largohu nga aty mo se ke penguar trajnerin”, ia behu tifozi.
– “O arbitër, shko shikoje të liqeni mo se na le këtu, një orë për një vendim”, lëshuan batutën nga tribuna tifozët dinamovitë, të cilët i lodhi pritja e gjatë për golin e anuluar të Bylisit për pozicion jashtë loje.
– Ndeshja e dobët e Dinamos sjell pakënaqësinë e tifozëve në stadium, që nuk i lënë ironitë. “Çfarë keni ngrënë mo, groshë të prishur”.
– Në fund të ndeshjes, trajneri Nevil Dede kërkon nga skuadra të shkojnë të përshëndesë tifozët, të cilët edhe pse të paktë në numër, mbështetën ekipin e tyre.
– Si gjithnjë në fund, lojtarët dinamovitë konsumojnë picën e zakonshme pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"