PIKANTET PARTIZAN-TEUTA/ Martini i dënuar “VIP”, plas sherri në tunel! Sulmohet Sembene, edhe turistët “braktisin” Superioren
“Panorama Sport” ju sjell momentet pi kante të ndeshjes Partizani-Teuta, e mbyllur me shifrat 1-1. Kjo sfidë nisi me një moment të veçantë për presidentin Demi, vijoi me Martinin si të dënuar “VIP” dhe u mbyll me sherr në hyrje të tunelit.
* Hasanbelli bëhet pjesë e një momenti jubilar për presidentin Demi. Ai festoi ndeshjen numër 500 si president i Partizanit, që nga viti 2013. Hasanbelli dhe Demi pozuan me fanellën me numrin 500 në duar, me Partizanin, që e postoi momentin në rrjetet sociale me mbishkrimin: “Kreu i klubit të kuq, Gazment Demi, ka arritur plot 500 ndeshje në krye të ekipit legjendë.
Bluza simbolike me numrin 500 i është dhuruar përpara takimit Partizani-Teuta nga Edmond Hasanbelli, kolegu dhe presidenti më jetëgjatë i Kategorisë Superiore brenda ambienteve të restorantit të hotelit të klubit të kuq, që ka disa javë që ka hapur dyert dhe ka nisur funksionimin e plotë”.
Më pas, presidenti i Teutës, vjen ne stadium rreth 30 minuta para startit të ndeshjes. Ai preferon ta shohë sfidën jo në tribunë apo në barin e stadiumit, por në pjesën private të impiantit, ku zakonisht qëndron edhe presidenti Demi. Përveç këtij të fundit, atje u panë edhe drejtuesit e tjerë të kuq.
* Si asnjëherë më parë në muajt e fundit, në stadium kishte zero prani turistësh, të paktën në tribunën qendrore. Si rrjedhojë edhe prania e tifozëve është shumë e paktë. Në stadium nuk ishin më shumë sesa 500 të pranishëm për të ndjekur këtë ndeshje nga shkallët e impiantit. Një numër tejet i ulët për një klub si Partizani, që garon prej vitesh për tituj, pa harruar historinë e madhe.
* Trajneri i Teutës, Edi Martini, nuk ishte i pranishëm në pankinë për shkak të skualifikimit prej kartonit të kuq të ndeshjes së shkuar. Por kjo nuk e pengoi shkodranin që ta ndiqte ndeshjen i ulur në rreshtin e parë të tribunës “VIP”, vetëm 4-5 metra larg pankinës blu, çka përbën një precedent më vete, pasi nga ajo distancë ai mund të komunikonte lehtësisht me gjithë pankinën. Shpesh gjatë ndeshjes ai jep direktiva ndaj lojtarëve dhe në një moment tregohet kritik në thirrjet e tij nga ulësja e tij “VIP”. Pakënaqësinë e kishte me mbrojtësin Kruja.
* Pas minutës së 28-të në stadium mbërrin edhe një përfaqësi prej vetëm 10 përfaqësues të tifogrupit “Djemtë e Detit”, të cilët edhe pse ishin më pak sesa lojtarët e tyre në fushë, bëjnë maksimumin për të mbështetur ekipin nga qyteti bregdetar.
* Mbrojtësi i Partizanit, Sembene, ka një problem me fanellën në minutën e 40-të dhe shfrytëzon rastin për ta ndërruar në një moment pauze.
* Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ishte një nga spektatorët e veçantë të kësaj sfide. Në pushimin e ndeshjes ai shihet i shoqëruar nga Ilir Halili, agjent futbollistësh i lidhur ngushtë me Partizanin gjatë kësaj vere, autor i kalimit të Veselinoviç te “Demat”.
* Mungesa e madhe e kësaj ndeshjeje te Teuta, Simeu, e ndjek sfidën nga bari i stadiumit. Ai tregohet shumë i shoqërueshëm edhe me tifozët, ku nuk mungojnë të qeshurat dhe batutat.
* Zeka zëvendësohet në të 74-ën, por e merr me qetësi momentin e daljes nga fusha. Jazxhi shkon dhe e merr për krahësh dhe me pak të shtyrë për ta bërë të nxitojë. Ndërhyn më pas kryesori Doda.
* Te momenti i penalltisë së Llocit, Martini zgjedh të mos e shikojë penalltinë nga emocionet dhe kokën me kapuç. Pasi 11-metërshi u shënua, trajneri shpërtheu me një festë.
* Pas ndeshjes ka përplasje në fushë, që vazhdon edhe në dhomat e zhveshjes. Për disa sekonda në hyrjen e tunelit krijohet kaos dhe përleshje mes lojtarëve, aq sa në tunel futen forcat Shqiponja. Nga kamerat e sigurisë shihet një nga pjesëtarët e klubit të Teutës, që pret Sembene në hyrje të dhomave të zhveshjes dhe e sulmon fizikisht. Më pas krijohet një rrëmujë e madhe, që fatmirësisht nuk përshkallëzohet në dhunë. Nga ajo që gazeta mësoi, personi që sulmoi ishte pjesëtar i stafit të Vllaznisë, teksa emri u mbajt sekret.
* Pas fundit të ndeshjes, arbitri i “VAR”-it, Eldorjan Hamiti, hyn në dhomat e zhveshjes, teksa në këtë moment disa nga fëmijët i kërkojnë llogari për penalltinë e dhënë. Ai e merr me sportivitet dhe nuk i kursen batutat me ta.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"