Plani për transfertën kurbinase, Veselinoviç nuk ndryshon shumë te Partizani
Partizani zhvilloi dje stërvitjen e radhës në funksion të ndeshjes së të dielës kundër Laçit në stadiumin e kurbinasve. Trajneri Veselinoviç ka nisur përgatitjet në aspektin taktik të kësaj ndeshjeje, teksa është përpjekur t’i analizojë me hollësi bardhezinjtë, që janë një skuadër e re, por që luajnë shumë rrjedhshëm dhe vrullshëm.
Në kushtet kur nuk ka një skuadër të zgjeruar në dispozicion, lajmi ngushëllues për trajnerin është fakti se përveç Kotes, i cili ende nuk është në gjendje për të luajtur, të gjithë të tjerët janë në dispozicion. Të kuqtë kanë dy ndeshje radhazi kundër kurbinasve, fillimisht në kampionat e më pas në Kupë, çka i bën mjaft specifike këto përballje.
Partizani do të provojë të kthehet menjëherë te fitorja pas barazimit me Dinamon, pasi qëllimi është të mos humbë kontaktin me Egnatian kryesuese. Në stol pritet të jetë sulmuesi Eleke dhe nuk do të ishte çudi të aktivizohej disa minuta në Laç. Sa i përket formacionit, pritet të jetë thuajse i njëjtë me atë të sfidës së shkuar, me përjashtim të ndonjë ndryshimi në qendër të mbrojtjes pas rikuperimit të Domgjonit.
Mesfusha dhe sulmi pritet të jenë të ndërtuara njëjtë. Në stërvitjen e sotme me shumë mundësi pritet të paraqitet edhe sulmuesi Vujnoviç, i cili është afrimi më i fundit i “demave”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"