Pogradeci- Besa/ Josa ka recetën e fitores. Nikaj: E vështirë, por ia dalim kundër kavajasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 12:45

Pogradeci- Besa/ Josa ka recetën e fitores. Nikaj: E vështirë, por ia dalim kundër kavajasve

Pas një merkato me shumë prurje dhe dy fitoreve në start, në ambientin sportiv kavajas ka mjaft entuziazëm. Mungesa prej 10 vitesh larg Superiores i ka lodhur tifozët kavajas, ndaj presin me padurim kthimin në elitë.

JOSA QOSJA

Një ekspert si Mirel Josa, që i ka provuar të gjitha si lojtar e më pas si trajner, mendon ndryshe. Për Josën, as që duhet të flitet sot me eufori, pasi gara sapo ka nisur. “E thashë edhe pas ndeshjes me Korabin, se nuk kemi arritur asgjë, për faktin se gara sapo ka filluar. Vërtet presidenti Bizhdili ka bërë shumë afrime, por asgjë nuk vlen nëse kjo nuk pasqyrohet në fushën e lojës, shto këtu edhe harmonizimin apo ardhjen në formën optimale të prurjeve të fundit” u shpreh fillimisht trajneri Josa për “Panorama Sport”.

Besa ka udhëtuar dje drejt Pogradecit, një fushë që e njeh mirë, pasi mati forcat në miqësore gjatë fazës përgatitore. Për Josën, Pogradeci nuk është debutues, pasi ka luajtur më herët në Kategorinë e Parë dhe ka një grup solid. “Një ndeshje fillon që në mënyrën se si stërvitemi, sa angazhohemi, me çfarë dëshire kryejmë detyrat. Në këtë kuptim, i mëshoj fort çdo seance stërvitore. Kemi pasur kohën në favor që afrimet e fundit të përshtaten sa munden.

Madje, aktivizuam ndaj Luzit edhe portierin e sapoardhur.. Kjo mbetet të realizohet nga ekipi, duke vrapuar 90 minuta, luajtur fort për çdo top dhe me qetësi e kujdes nga prapavija. Çdo përballje mbetet sikur të ishte e para e kampionatit dhe Besa kudo do të përballet me kundërshtarë të denjë e të fortë. Duhet të bëjmë atë që dimë, të zbatojmë me fanatizëm detyra që kemi ngarkuar gjatë javës stërvitore. Nëse e bëjmë këtë pa gabime, atëherë besimi te një rezultat pozitiv është më i madh”, përfundoi trajneri Mirel Josa.

Trajneri Nikaj : E vështirë, por Pogradeci ia del kundër kavajasve

SAMUEL NIKAJ

Ndeshja që do të zhvillohet sot pasdite në stadiumin “Gjorgji Kyçyky” të qytetit të Pogradecit, mes vendasve dhe Besës, përbën një nga sfidat më interesante të javës së tretë të kampionatit të Kategorisë së Parë. Ecuria e mirë e skuadrës kavajase në dy javë e para të kampionatit shton dukshëm koeficientin e vështirësisë dhe rëndësisë e ndeshjes. “Përballja ndaj Besës ka një shkallë të lartë vështirësie, jo vetëm për ecurinë e skuadrës kundërshtare në këto dy javë, por dhe për pretendimet që kanë kavajasit në këtë edicion. Jam optimist se fitorja do të anojë në favorin tonë

. Këtë e bazoj jo vetëm te fryma pozitive që ekziston në skuadër, por dhe te serioziteti që kanë pasur futbollistët në marrjen e ngarkesave stërvitore”, shprehet mes të tjerash për “Panorama Sport” trajneri Samuel Nikaj. Nisur nga rëndësia që ka ndeshja në fjalë, pritet që në shkallët e stadiumit “Gjorgji Kyçykut” të jenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm tifozësh, nga të dyja qytetet. Trajneri Nikaj nuk do ta ketë të plotë ekipin për sot, pasi pritet të mungojnë për shkak dëmtimesh dy futbollistë të formacionit bazë, Miklovan Peren dhe Kostika Beçka. Për gatishmërinë e futbollistëve do të vendoset deri në orët e fundit para ndeshjes.

FERIZ FERIZAJ/NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"