Pogradeci “fortesë”, Xhafa: E dimë si t’i thyejmë! Mema debuton në stolin e liqenorëve, Lila: Lushnja rival direkt
Lushnjarët kanë për funduar përgatitjet në kuadrin e ndeshjes së sotme me liqenorët, që do ta luajnë në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit.Seanca e fundit stërvitore është zhvilluar dje në mesditë në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”. Më pas, skuadra ka udhëtuar drejt Pogradecit, ku sot do të zhvillojë takimin. Lushnja i rikthehet kampionatit pas 17 ditësh, pas së premtes së 8 nëntorit kur mundi 3-1 Korabin në shtëpi. Trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, ka qenë shumë i qartë në deklaratën e dhënë enkas për gazetën “Panorama Sport”.
Ai përsërit se shkojnë në Pogradec për të fituar ndeshjen: “Është një ndeshje e vështirë, ndaj një kundërshtari, i cili bën mirë në shtëpinë e vet. Të gjitha fitoret i ka marrë në shtëpi. Është një kundërshtar, i cili kërkon të luajë mirë futboll që tani ka ndërruar edhe trajner. Kështu, që gjejmë një ekip plotësisht të motivuar. Kundërshtari sigurisht që do të kërkojë ta fitojë ndeshjen. Ne kemi pasur mundësinë dhe kohën e mjaftueshme për të përgatitur këtë sfidë. Na ka vlejtur shumë kjo ndërprerje e kampionatit. Kemi vazhduar të fusim idenë tonë në lojë. Duam të shkojmë atje, për t’i dhënë vazhdimësi lojës. Për ne, është gjëja më e rëndësishme. Sigurisht, edhe rezultati. Shkojmë në Pogradec për të fituar ndeshjen”, thotë fillimisht trajneri.
SITUATA- “Për momentin nuk kemi asnjë lojtar të dëmtuar. Nuk kemi asnjë lojtar me karton. Kështu që jemi të plotësuar. Grupi është i plotë dhe i përgatitur mirë. Jemi entuziastë dhe me besim në vetvete. Kështu që, duam t’i japim vazhdimësi lojës, por sigurisht edhe rezultateve pozitive. Temperatura e ulët? Nuk besoj se është një problem për ne. Gjithsesi, duhet t’i “shkelim” vështirësitë dhe të shkojmë për të fituar ndeshjen”, deklaroi në prag të sfidës me liqenorët tekniku i lushnjarëve Erion Xhafa. Edhe pas ndeshjeve të zhvilluar dje, lushnjarët kanë mbetur në vendin e shtatë. Skuadra luan një përballje të drejtpërdrejtë me Pogradecin dhe ka një mundësi, të ngjitet në tabelë në zonën e “play-out”- it, pas humbjes së Apolonisë me Kastriotin. Lushnjarët duhet të thyejnë “akullin” e transfertave, pasi njohin tre të tilla radhazi. Në total kanë luajtur gjashtë transferta deri tani, ku njohin 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje.
Seanca e ditës së djeshme që u zhvillua në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, shënoi dhe fundin e përgatitjeve për ndeshjen që do të zhvillohet sot kundër Lushnjës. Përveç rivalitetit që kanë skuadrat, afërsia që kanë ato në renditje, e bëjnë ndeshjen shumë interesante.
Pavarësisht se ndeshja e sotme zhvillohet në një orë të pazakontë që përkon me orarin e punës, gjithsesi parashikohet që në shkallët e stadiumit të jenë një numër i konsiderueshëm sportdashësish. Trajneri Ardian Mema e ka të parën ndeshje këtë para publikut vendës, ndaj marrja e tri pikëve është dhe një mundësi për një prezantim më të mirë.
Për shkak kartonësh, Pengu dhe Ivani nuk do të jenë të gatshëm, ndërkohë përpara duelit me Lushnjën ka folur edhe mbrojtësi Vilson Lila: “Skuadra është në gjendjen e saj më të mirë. Zhvillimi i dy ndeshjeve na ka ndihmuar për të ruajtur formën fizike. Pavarësisht rezultateve të arritura kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe me nivel”, shprehet për gazetën mbrojtësi i liqenorëve.
Pas eliminimit për Kupë ndaj Kukësit, vëmendja është përqendruar te kampionati: “Jemi dy skuadra rivale në kampionat dhe është e natyrshme që mes tyre të ketë luftë të fortë sportive. Parashikoj një ndeshje shumë të luftuar, por marrja e tre pikëve është i vetmi objektiv i skuadrës sonë. Një fitore ndaj Lushnjës mund të na katapultojë më lart në renditje, sigurisht duke përfituar dhe ndonjë hap të gabuar të rivalëve. Mundësitë e marrjes së trepikëshit janë të mëdha, pasi atmosfera në skuadër është optimiste”, mbyll komentin e tij, mbrojtësi Vilson Lila.
Pas dymbëdhjetë javësh, skuadra e Memës renditet e teta në kuotën e 12 pikëve, aq sa ka dhe Lushnja që renditet e shtata.
ALBAN ALUSHI/NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"