Pogradeci me 3 përforcime të reja ndal Kukësin, Raza shënon një eurogol. Nikaj: I kënaqur nga ekipi
Pogradeci arriti një fitore të rëndësishme në shtëpi përballë Kukësit, në një duel, ku liqenorët nuk vendosën në asnjë moment në diskutim triumfin. Loja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, për skuadrën e drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj.
Pa u mbushur minuta e tretë, Kasmollari harkon nga këndi aty ku gjen mesfushorin Danlandi, i cili godet saktë me kokë, duke përshëndetur rrjetën e Dervishajt. Në minutën e 10-të, liqenorët kryejnë një zëvendësim të detyruar, teksa largohet nga fusha i dëmtuar kapiteni Miklovan Pere dhe vendin e tij e zë mbrojtësi brazilian Duarte. Goli i pësuar në minutën e 3-të, duket se i shkaktoi një tronditje psikologjike skuadrës verilindore, që e pati shumë të vështirë të reagonte duke mos prodhuar asnjë rast të rrezikshëm në 45 minutat e para. Edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes, ishin pogradecarët ata që kishin lojën nën kontroll.
Për të vulosur suksesin mendoi mesfushori dibran, Redon Raza, i cili i në minutën e 73-të me një të djathtë të kalibruar nga afro 35 metra realizoi një gol për kartolinë, duke çuar peshë zemrat e tifozëve liqenorë të pranishëm në shkallët e stadiumit. Të vetmin kërcënim të rrezikshëm në portën e mbrojtur nga portieri Jelovaç, Kukësi do ta krijonte në minutën e 88-të, kur pas një harkimi nga këndi, mbrojtësi Lamellari, goditi bukur me kokë brenda zonës, por reagimi i portierit malazez të Pogradecit ishte spektakolar, duke i thënë “jo” mbrojtësit korçar. Sfida u mbyll me një rast të artë të Peqinit, për të trefishuar shifrat, por gjuajtja e sulmuesit brenda zonës, u ndal nga portieri Dervishaj.
Afrimet e merkatos- Interesant është fakti se në këtë duel te skuadra pogradecare, debutuan dy futbollistët, Erjon Dragoj dhe Milan Jelovaç, të cilët janë bashkuar rishtazi me juglindorët. Gardiani malazez, Jelovaç, bëhet kështu portieri i katërt që aktivizohet si titullar, në radhët e Pogradecit në këto 7 javë, teksa më parë janë aktivizuar portierët, Baçi, Beqiri dhe Nikoloski. Gjithashtu, në dispozicion të trajnerit Nikaj në këtë ndeshje ishte edhe mbrojtësi Vilson Lila, i cili iu bashkua liqenorëve vetëm pak kohë më parë, si lojtar i lirë.
POGRADECI-KUKËSI 2-0
Golat: Danladi 3’, Raza 73’
POGRADECI: Jelovaç, Karabatiç, Ivani, Pere (Duarte 10’), Kastrati (Dragoj 46’), Pengu, Danladi, Kasmollari, Raza (Hysenllari 86’), Topllari (Peqini 86’), Beçka (Sodiq 75’). (Në dispozicion: Nikoloski, Shkulaku, Pius, V.Lila, Panadiç). Trajner: Samuel Nikaj
KUKËSI: Dervishaj, Lala, Lamellari, Ouen (Suleçe 59’), Selita, Mejdani (Metani 69’), Jusuf (Egalie 78’), Hilaj, Danaj (Nasir 68’), Birçaj, Beshiraj (Peposhi 78’) (Në dispozicion: Nova, Kapllanaj, Murati). Trajner: Emiljano Çela
KARTONË TË VERDHË: Kastrati 22’, Raza 66’ / Lala 36’, Mejdani 60’, Birçaj 85’
GJYQTARË: O.Sokoli (Tiranë), F.Kolleshi (Këlcyrë), H.Lila (Tiranë)
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
VËZHGUES: Arben Pregja (Tiranë)
Trajneri i Pogradecit
Nikaj: I kënaqur nga ekipi, dy debutuesit një plus për ne
Pas humbjes në Vorë, Pogradeci ka bërë direkt autokritikën, ku të shtunën bindën me rezultat dhe lojë ndaj KukësIt. Pas ndeshjes trajneri i liqenorëve, Samuel Nikaj, për “Panorama Sport” u shpreh: “Realisht me përjashtim të ndeshjes ndaj Erzenit, të gjitha duelet e tjera kanë qenë pozitive. Edhe kundër Kukësit, kemi performuar shumë mirë, jam i kënaqur. Dy debutuesit, portieri Jelovaç si dhe Erjon Dragoj, janë një plus i madh për vazhdimësinë, pa harruar këtu edhe futbollistin tjetër, Vilson Lila, një mbrojtës me përvojë të madhe në Kategorinë e Parë. Goli i Redon Razës ishte spektakolar, një realizim që erdhi si shpërblim i ndeshjeve të mira, që mesfushori ka zhvilluar në vazhdimësi. Dëmtimi i kapiteni Pere në minutën e 10-të të sfidës na shqetësoi disi, gjithsesi besoj që gjatë këtyre dy javëve pushim, futbollisti do të marrë kohën e duhur për t’u rikuperuar dhe shpresoj ta kemi gati në duelin e radhës ndaj Flamurtarit”.
I zhgënjyernga humbja , trajneri Çela largohet direkt
I zhgënjyer nga humbja dhe nga paraqitja jo bindëse e skuadrës së tij, trajneri i Kukësit, Emiljano Çela, nuk preferoi të shkonte në dhomat e zhveshjes. Trajneri u larguar menjëherë nga stadiumi nën shoqërinë e bordit drejtues të klubit verilindor, të cilët ishin të pranishëm në tribunën e stadiumit për të ndjekur skuadrën. Ndërkohë, lojtarët dhe pjesa tjetër e stafit teknik pas përfundimit të ndeshjes, gjeti ngushëllim duke konsumuar pica në dhomat e zhveshjes, për ta larguar disi mërzinë e humbjes. Kukësi mbetet sërish me 9 pikë, por tashmë është barazuar në këtë kuotë nga Pogradeci që i mundi në duelin direkt, si dhe Lushnja.
ILDI MEROLLI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"