Pogradeci mund Kastriotin me 10 lojtarë. Nikaj: Ekipi tregoi shpirt gare. Bubeqi: Ja arsyet e humbjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2024 | 15:40

Pogradeci mund Kastriotin me 10 lojtarë. Nikaj: Ekipi tregoi shpirt gare. Bubeqi: Ja arsyet e humbjes

Pogradeci rikthehet me fitore në Kategorinë e Parë pas dy vitesh mungesë. Të shtunën liqenorët pritën Kastriotin në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, ku arritën që të fitonin në shifrat 3-1, edhe pse  pjesën e dytë e luajtën me një lojtar më pak.

POGRADECI KASTRIOTI

Në fund të pjesës së parë Qeleshi u largua me karton të kuq në minutën, pas përplasjes me Msuajn e Kastriotit, kur rezultati ishte 1-0 për vendasit. Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Nikaj u tregun më të fortë kur mbeten në inferioritet numerik,, pasi shënuan edhe dy gola të tjerë. Ndërsa për krutanët, Ajazi realizoi golin e nderit.

Ndeshja- Pogradecarët e nisin në sulm premierën e sezonit të ri, ku liqenorët

tentuan daljet në krah me Pengun dhe Kastratin, si dhe me topat e gjatë për dyshen sulmuese Beçka-Panadiç, ku kroati vuri në vështirësi mbrojtjen krutane me shtatlartësië e tij dhe dyluftimet e fituara. Ishte pikërisht sulmuesi i afruar në merkaton e verës, Mateo Panadiç që zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t, kur top i fituar nga Pengu shkoi te kroati, i cili goditi fort brenda zonës duke mposhtur portierin Puja. 1-0 për Pogradecin. Menjëherë pas pësimit të golit vjen reagimi i krutanëve, por ishte e dukshme që Kastrioti nuk

kishin ide të qarta në fazën sulmuese. Një skuadër që dukej jo e freskët, pasi procesin stërvitore e filluan vetëm tri javë para startit të sezonit. Në fund të 45-minutëshit të parë vjen kartoni i kuq për Qeleshin. Me fillimin e pjesës së dytë Pogradeci është i detyruar të mbyllet në mbrojtje, pasi duke pasur një forcë më pak i duhej të administronte golin. Gjithsesi, Pogradeci nuk heq dorë as nga kërkimi i golit të dytë, duke u bazuar më shumë te kundërsulmet. Kjo taktikë e trajnerit Nikaj rezultoi efektive, pasi në minutën e 72-të Pengu dyfishoi me ndihmën e Kazim pas një kundërsulmi. Kastrioti filloi të luajë topat e gjatë dhe hedhjen e kroseve në zonë, pasi nuk kishte çfarë të humbiste dhe arriti të ngushtojë rezultatin

në 2-1, ku në të 76-ën Ajazi shënoi me kokë. Situata u komplikua disi për vendasit pas këtij goli, por në minutën e 86-të me një kundërsulm tjetër të shpejtë, nigeriani Pius në krahun e djathtë të sulmit, goditi fort dhe çoi në delir tifozët duke i dërguar shifrat në 3-1. Minutat e fundit folën në favor të krutanëve, por krosimet në zonë linin për të dëshiruar, kjo edhe për meritë të kapitenit Pere që largonte topat. Gjithashtu paraqitje të mirë në këtë pjesë bëri edhe portieri Beqiri që zëvendësoi Baçin e dëmtuar.

POGRADECI- KASTRIOTI 3-1

Golat: Panadiç 24′, Pengu 72′, Pius 86′ / Ajazi 76′

POGRADECI: Baçi (Beqiri 66’), Ivani, Pere, Vagner, Pengu, Qeleshi, Danladi (Raza 66’), Pius, Kastrati, Beçka (Karabatiç 66’), Panadiç (Kazim 46’), (Topllari 79’); (Në dispozicion: Hysenllari, Peqini, Nallbati, Kasmollari, Kendezi). Trajner Samuel Nikaj

KASTRIOTI: Puja, Qyra, Krasniqi, Doseh, Musaj (Hodo 79’), Kuka (Ndreu 79’), Gabriel (Kapllani 61’), Ymeri, Arapi (Moses 49’), Berisha (Hoxha 61’), Ajazi; (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa). Trajner: Dorian Bubeqi

Kartonë të verdhë: Qelleshi 45’ (2 kv), Ivani 90’, Beqiri 90+1’, Topllari 90+1’ / Bubeqi 18’(trajneri), Musaj 45’, Berisha 50’, Moses 55’,

Karton i kuq: Qeleshi 45’ (2 kv)

Gjyqtarë: A. Doda, E.Spahiu (Tiranë), D.Kasa (Kavajë)

Delegat: Bujar Pregja (Tiranë)

Vëzhgues: Alfred Lamçe (Tiranë)

 

Nikaj: I kënaqur, ekipi tregoi shpirt gare

Pogradeci tregoi cilësi dhe forcë karakteri në fillim e sezonit të ri, ndonëse luajtën gjysmën e ndeshjes me një lojtar më pak, arriti që të marrë një fitore bindëse kundër Kastriotit në shifrat 3-1. Paraqitja e liqenorëve me krutanët, deri-diku ishte e pritshme, pasi skuadra i kishte dhënë sinjalet në ndeshjet miqësore, madje edhe kundër skuadrave të Superiores. Pas fitores së parë, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” trajneri Samuel Nikaj shkurtimisht u shpreh: “Jam i kënaqur me shpirtin e garës që tregoi skuadra ime në këtë takim. Ishte ndeshje e luftuar dhe e tensionuar, për vetë objektivat që kanë të dyja skuadrat në këtë sezon të Kategorisë së Parë”.

 

Bubeqi: Ja arsyet e humbjes së Kastriotit

Trajneri Dorian Bubeqi, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” tregoi arsyet e humbjes së Kastriotit në start: “Vonesa në fillimin e stërvitjes dhe mungesa e ndeshjeve miqësore besoj se ndikuan në ndeshjen e javës së parë në Pogradec. U pa qartë që nuk ishim akoma të freskët fizikisht, si dhe kishim probleme të njohjes së lojtarëve me njëri-tjetrin. Ashtu si erdhi rrjedha e lojës, nuk mendoj se ishte rezultati i duhur. Golat e Pogradecit erdhën si pasojë e gabimeve të lojtarëve tanë. Kështu e ka futbolli, ata e merituan fitoren, pavarësisht se kush e ka fajin te golat. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të jemi më të konsoliduar fizikisht dhe të njohim më mirë lojën e njëri-tjetrit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"