Pogradeci ruan vigjilencën për kualifikimin ndaj gjirokastritëve, por Flamurtari mbetet fokusi kryesor
Pogradeci pret sot në “Gjorgji Kyçyku”, për llogari të Kupës së Shqipërisë, Luftëtarin e Kategorisë së Dytë. Ndonëse nuk ka peshën e një ndeshje kampionati e rivaliteti si sezonin e shkuar, trajneri Samuel Nikaj kërkon impenjim maksimal nga liqenorët.
“Sigurisht që do ta respektojmë Kupën si kompeticion. Luajmë përballë Luftëtarit, një skuadër me traditë në futbollin shqiptar dhe objektiv kemi kalimin në turin tjetër”, tha për “Panorama Sport”, trajneri Nikaj. Nisur nga formula që mbartin ndeshjet e Kupës, me një ndeshje teke, më të avantazhuar janë vendasit e Pogradecit.
Skuadra pogradecare, pas fitoreve të rëndësishme në kampionat ndaj Kukësit, takim i vlefshëm për javën e shtatë të kampionatit, si dhe miqësores ndaj Skënderbeut, e zhvilluar fundjavën e kaluar, e ka shtuar dukshëm dozën e optimizmit. Edhe pse synohet kalimi i turit të parë, ndeshja e radhës në kampionat në transfertë ndaj Flamurtarit, që do të zhvillohet të hënën e ardhshme, është në qendër të vëmendjes. Jo vetëm drejtuesit, por dhe tifozërisë vendase shpreson në ecurinë pozitive të skuadrës.
NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"